Lajmi për helmimin qenve endacakë nga punonjësit e Bashkisë Tiranë ka marrë jehonë përtej kufijve të vendit. Së fundmi, shoqatat italiane për mbrojtjen e kafshëve kanë reaguar në lidhje me atë që po ndodh me qentë e rrugës në Shqipëri.

Në një letër dërguar ambasadores së Shqipërisë në Romë Anila Bitri, ato kanë bërë thirrje që të ndalohet masakra e qenve të rrugës.

Letra është shkruar nga rreth tetëdhjetë organizata të Federatës Italiane të Shoqatave për të drejtat e kafshëve dhe mjedisin dhe në fokus të saj është tërheqja e vëmendjes për mënyrën se si qeveria dhe Bashkia Tiranë po trajton qentë endacakë.

Letra drejtuar ambasadores Anila Bitri:

Shumë qytetarë shqiptarë po protestojnë në rrugë duke dënuar trajtimin e qenve të braktisur ndërsa afrohet dhe data e zgjedhjeve parlamentare. Ne kemi mësuar se kafshët do t’i nënshtrohen një fushate sterilizimi, kryer në klinikën veterinare komunale, duke u eliminuar brutalisht me një injeksion acidi hidroklorik në zemër dhe pastaj “do zhduken” në landfillin e qytetit. Shqipëria është një vend mik i Italisë, një vend europian dhe kandidat për pranim në Bashkimin Evropian, të cilin ne si qytetarë e mbështesim dhe shpresojmë. Në respektin e dashamirësinë që lidh dy vende miq, ne kërkojmë që të përcillni pranë qeverisë tuaj indinajtën tonë për atë ç’ka na raportojnë aktivistët shqiptarë. I bëjmë thirrje autoriteteve lokale që t’i japin fund kësaj masakre mizore e të padrejtë. Me vdekjen nuk vjen pastrimi. Vendi juaj ka kryer zhvillime të mëdha gjatë dekadave të fundit që mund të vihen në diskutim për mënyrën se si po trajtoni kafshët, qënie pa zë e të drejta.