Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur gjatë mesditës në Vlorë. 31-vjeçari Tauland Gjikaj është qëlluar me breshëri kallashnikovi, pranë Gjykatës së Vlorës dhe ka gjetur vdekjen në spital.

Tauland Gjikaj ishte duke ecur në rrugë, kur u qëllua me kallashnikov. Fatmirësisht plumbave u kanë shpëtuar disa qytetarë që qëndronin në një lokal dhe të tjerë kalimtarë që po ecnin në rrugë në afërsi të vendit të ngjarjes.

Ndërkohë policia ka ndaluar një person si autorin e dyshuar për ngjarjen. Ai është arrestuar në afërsi të rrugës që të çon në pyllin e Sodës, ndërsa nuk bëhet me dije identiteti i tij.

Viktima me 3 mbiemra

Personi i vrarë në Vlorë u identifikua nga Policia si Tauland Gjikaj, 31 vjeç, sipas kartës së identitetit që iu gjet në trup, bashkë me një armë zjarri.

Por Gjikaj më parë ka përdorur emra të tjerë. Ai mësohet se është në fakt Taulant Manaj, por që ka përdorur edhe mbiemrin Beqiraj, djali i një ish-efektivi policie.

Në shkurt të vitit 2017, ai është arrestuar për tentativë vrasjeje të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Por edhe pse fillimisht u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, në mars 2018, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë duke e dërguar në “arrest shtëpie”.

Vetëm 3 muaj më vonë, ai u arrestua përsëri pasi ishte larguar nga banesa ku duhet të qëndronte në arrest shtëpie, si dhe iu gjetën në zotërim armë dhe municione. Por përsëri, Gjykata e Vlorës dha të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie” për personin me tre mbiemra (Manaj, Beqiraj dhe së fundmi Gjikaj).

Vendimi i atëhershëm i gjykatës u kritikua nga Ministria e Brendshme, që e quajtur të padrejtë lënien në “arrest shtëpie” të një personi përsëritës të veprave penale dhe me rrezikshmëri të lartë.