Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të premteje në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Një person mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër i plagosur si pasojë e të shtënave me armë.

Mexhit Picari vrau me armë zjarri Kudret Salia (ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave u plagos edhe ish-prokurori Adriatik Cama, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Viktima kishte bërë kërkesë për zgjidhje të martesës pranë gjykatës, gjë që nuk ka marrë aprovimin e palës tjetër, duke çuar në krimin e rëndë. Padia për divorc është paraqitur me 24 dhjetor 2020 dhe sot në 12:00 do të zhvillohej seanca e pestë për çështjen. Pas ngjarjes, autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes me një makinë.

Ndërkohë, drejtori i policisë së Tiranës, ka bërë të ditur se është bërë e mundur arrestimi i autori të ngjarjes. “Në orën 11:50 ka ndodhur një ngjarje e rëndë në një lokal, ku është vrarë një person, i cili ka qenë në proces divorci me bashkëshorten. Babai i vajzës është autori i ngjarjes së rëndë. Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në polici. Viktima ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e tij. Bashkëshortja ka qenë e arrestuar për dhunë në familje. Po bëheshin seancat për divorc. Në këto, kushte babai i vajzës ka qëlluar me armë ish-dhëndrin. Gjatë ngjarjes është plagosur edhe avokati, i cili ka qenë në tavolinë me viktimën”.