Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata Saliaj, të akuzuar për vrasjen e Kudret Saliajt disa ditë më parë në kryeqytet dolën sot para Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë.

Prokuroria pritet të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje.

Babë e bijë përfaqësohen nga i njëjti avokat në sallën e gjyqit.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 4 qershorit në ambientet e një lokali pranë Gjykatës së Tiranës.

Vetëm 10 minuta përpara seancës së radhës së divorcit, Kudret Saliaj u ekzekutua nga vjehrri i tij, Mexhit Picari, i cili qëlloi dhëndrin e tij me 8 plumba.

Gjatë breshërisë së plumbave mbeti i plagosur edhe Adriatik Cama, i cili ndodhej nën shoqërinë e viktimës.

Për këtë ngjarje u arrestua Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata. Kjo e fundit akuzohet për bashkëpunim në vrasje.