Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Përparim Ademin (Telën), të akuzuar si vrasësin e dy motrave, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani mëngjesin e 31 dhjetorit.

Në seancë, Ademi ka pranuar që para më shumë se 20 vitesh, kishte nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristinën, e më pas ishte lidhur edhe me motrën tjetër, Zhaneta. Ai pretendon edhe se ka fëmijë me të, por nuk ka regjistruar në gjendje civile.

Ndërkohë, Ademi figuron edhe ligjërisht i martuar me një grua të tretë, e cila ka pranuar se i dinte lidhjet e të shoqit, madje kishte krijuar miqësi me dy motrat që të mos prishte familjen. Përparimi ka thënë që krimi ndodhi për arsye xhelozie, sepse kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër.

Gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, është mësuar dhe dinamika e ngjarjes makabre, ky mbetën të vrara dy motrat.

Para se të ngjitej në apartament, Ademi ka marrë njërin nga fëmijët që po luante poshtë pallatit duke e përdorur si karrem për të hyrë brenda. Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë. Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani. Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Automatiku është gjetur me karikatorit bosh, të cilin e ka zbrazur në trupat e viktimave dhe në banesën e tyre. Përparim Ademi akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.