Kompania WizzAir nisi fluturimet nga aeroporti i Kukësit, fillimisht me 3 destinacione drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aeroportin e Kukësit, tha se me drejtorin e kompanisë WizzAir ka biseduar për punësimin e të rinjve shqiptarë.

Sipas kreut të qeverisë, WizzAir deri më tani ka punësuar 200 shqiptarë dhe plani është që ky numër të shkojë në 500.

“Sot WizzAir ka 200 shqiptarë të punësuar dhe plani është për të shkuar në 500 të punësuar. Në muajt në vijim kompania do hapë thirrjet për të punësuar të rinjtë, janë vende pune cilësore të paguara mirë dhe ata që dëshirojnë të punësohen në këtë kompani duhet të mos e presin punën t’ju vijë por të shkojnë edhe të aplikojnë”.

Kreu i qeverisë shprehu sërish bindjen e tij se nuk do të dorëzohet deri sa arrijnë marrëveshjen edhe për fluturimet drejt Anglisë.

“Me drejtorin e madh të kompanisë kemi diskutuar edhe për destinacionin tjetër të rëndësishëm që është Anglia. Unë nuk do t’i ndahem Kukësit deri kur ‘The London Boys of Kukës’ të kenë fluturimet nga Kukësi në Londër dhe nga Londra në Kukës ose nga destinacione të tjera rreth e rrotull me tarifa krejtësisht simbolike. Kjo është dita për t’ju thënë të gjithë atyre që nuk kanë asnjë kapacitet durimi se kjo punë dhe të gjitha punët e mira kërkojnë durim. Shumë gjëra kemi dëgjuar pasi anunçuam fillimin e punës për aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Pastaj pasi e hapëm me siguri të tjera do dëgjojmë edhe sot. Por në fund fjalë i merr era dhe punët e mira mbeten”.

Kryeministri theksoi se aeroporti i Kukësit do t’u shërbejë edhe shqiptarëve në Kosovë por dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shtoi se çmimet për destinacionet fillestare do të jenë nga 19 Euro.

“Unë jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu për t’i dhënë një mundësi të re të gjithë banorëve jo vetëm të Kukësit, por të një treve të tërë që përfshin edhe pjesën matanë Bjeshkëve në Kosovë edhe pjesën e Maqedonisë së Veriut duke ju hapur destinacione në Austri, në Gjermani dhe në Zvicër. Janë 3 vende me 4 destinacione dy herë në javë, ndërkohë që çmimet e udhëtimeve siç e patë janë 19 Euro për secilin destinacion”.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se do të vazhdojnë investimet edhe në aeroportin e Tiranës, por edhe në aeroporte të tjera si në Vlorë e Sarandë.