Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti edhe pse i izoluar për shkak të infektimit nga Covid-19, ka reaguar për ngjarjen e djeshme për hyrjen e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Me një shënim në “Facebook”, z. Hoti thotë se ministri i Brendshëm është takuar sot me Gjeneralin Risi, ndërsa shton se edhe ai personalisht ka komunikuar me të për të mësuar detaje shtesë rreth kësaj ngjarjeje, e cila shkaktoi reagime të forta nga qytetarët, por edhe nga PDK-ja dhe LVV-ja.

“Lidhur me ngjarjen e djeshme, sot Ministri i Punëve të Brendshme është takuar me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi, me të cilin kam komunikuar edhe vetë mbrëmë dhe sot. Në këtë takim është sqaruar se si ka ndodhur kjo ngjarje. Kam qenë në komunikim edhe me Kryetarin e Kamenicës, z.Qendron Kastrati, me të cilin së shpejti do të vizitojmë qytetarët tanë në ato fshatra”, thekson ai.

Shefi i qeverisë së Kosovës siguron qytetarët se, siguria e vendit nuk mund të cenohet nga askush. Sipas tij, kufijtë janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës.

“Siguria në Kosovë nuk mund të rrezikohet nga askush. Nuk ka vend për panik, dhe as nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja. Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme dhe demokratike e botës”, shton ai.

Kryeministri Hoti paralajmëron se në vijim institucionet e sigurisë do të ndërmarrin veprime konkrete, por pa specifikuar detaje shtesë.

“Në ditët në vijim do të merren veprime konkrete nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë këtu patrullimet e përbashkëta me KFOR-in. Dëshiroj të falënderoj Gjeneralin Risi për bashkëpunimin e ngushtë në vazhdimësi.”, shkruan kryeministri Avdullah Hoti.