Avokatët e biznesmenit Ylli Ndroqi reaguan fill pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, njoftoi se ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit pas një hetimi ndaj tij.

Ata thanë për mediat se kjo e sotmja është një sulm politik, ndërsa sqaruan deklaratën e tij në polici.

“Zoti Ndroqi ka qenë duke udhëtuar më mjetin e tij mercedes S600, ai nuk është shoqëruar, dhe ka shkuar në polici, pasi i thanë se makina e tij do sekuestrohet, ka kërkuar vetë të shkojë në polici për të shoqëruar mjetin.

Brenda 5 ditësh ne do apelojmë. Do vërtetohet se pasuria e tij është e ligjshme, Zoti Ndroqi mendon se është një sulm politik “, thanë ata.

Në njoftimin e SPAK thuhet se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

GJKKO pas hetimit të SPAK ka vendosur sekuestron për të gjitha pasuritë e tij.