“Cinizmi është i lehtë; optimizmi është shumë më i vështirë. Ankimi është i lehtë; të bësh diçka është shumë më e vështirë. Shpresoj që të rinjtë e Shqipërisë të kenë idealizmin e tyre, të mësojnë të luftojnë në mënyrë efektive për demokracinë dhe t’i kërkojnë llogari njëri-tjetrit”. Me këtë postim në Twitter ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka shpërndarë njoftimin e ambasadës së SHBA lidhur me bashkëbisedimin me të rinjtë, ku përcolli mesazhe të rëndësishme dhe mbështetje për ta.

“Ju jeni ata që sjellin ndryshimin. Kur mbroni të drejtat tuaja, udhëhiqni fushata, dilni vullnetarë në komunitetet tuaja dhe votoni në zgjedhjet tuaja, ju keni ndikim dhe jepni kontribut për një të ardhme ku shqiptarët kanë mundësinë të lulëzojnë”, tha ambasadorja Yuri Kim gjatë bisedimit mbi pjesëmarrjen qytetare, sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë kur bashkohen me forcën punëtore dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike me anëtarët shqiptarë të Rrjetit Rinor Europian të Demokracisë (EDYN) të USAID/Albania.

Ambasadorja Kim theksoi vlerën e pjesëmarrjes rinore në Shtetet e Bashkuara dhe i nxiti këta të rinj shqiptarë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri.