Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në një intervistë në emisionin “Opinion” ka folur për marrëveshjen e 5 Qershorit. Kim shprehet se marrëveshja e 5 Qershorit ishte një arritje për politikën shqiptare, por shton se ndryshimet që janë bërë në Kuvend pa konsensus ishin zhgënjyese.

Më tej diplomatja tregon dhe negociatat që janë bërë në rezidencën e saj dhe shprehet se ka pasur një rol negociues pasi vendimet janë marrë nga vetë liderët shqiptarë, pasi Shqipëria është një vend sovran.

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Ditët e fundit, parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin zgjedhor, kodin zgjedhor, por ndryshimet nuk u bënë me kompromis, me konsensusin që patëm në 5 Qershor. Më pas, pamë deklarata nga Ambasada e SHBA dhe Bashkimi Europian. Të dyja palët thonë se mbështetja e Ambasadës së SHBA ishte për ta. Opozita tha “mbështetje për ne” dhe qeveria tha “mbështetje për ne.” Kush e ka gabim dhe kush ka të drejtë në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Mendoj se deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 Qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Nëse më pyet mua…

Blendi Fevziu: Po, dua mendimin tuaj…

Ambasadorja Kim: Edhe opinion im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 Qershorit shkon përtej 5 Qershorit por nuk e shoh si shkelje të 5 Qershorit.

Blendi Fevziu: Por në fakt, në 30 vitet e fundit, ose 28 a 29, gjithmonë kemi pasur kompromis, një konsensus le të themi, për Kodin Zgjedhor. Është hera e parë pas 30 vjetësh kur kemi një ndryshim të Kodit, sigurisht që në Parlament, që nuk është produkt i konsensusit. A është ky një problem për Shqipërinë apo për komunitetin ndërkombëtar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e Reformës Zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 Qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në Parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar.

Blendi Fevziu: Në fakt, 5 Qershori ishte produkt i presionit nga komuniteti ndërkombëtar apo vullnetit të partive politike shqiptare?

Ambasadorja Kim: E dini, Shqipëria është një vend sovran dhe politikanët këtu janë shumë të aftë.

Blendi Fevziu: Disa herë janë vend sovran, disa herë…

Ambasadorja Kim: Mendoj se iu duhej një mik për t’i ndihmuar të arrinin konsensusin. Unë kam qenë në diplomaci për një kohë të gjatë dhe jam ulur në tryeza negociatash shumë herë dhe mund t’ju them që në këtë situatë, donin të arrinin një marrëveshje dhe ishin të lumtur të kishin ndihmën e miqve të tyre.

Blendi Fevziu: Ishte hera e parë që ambasadorja amerikane mirëpriti të gjitha partitë politike në rezidencën e saj për të gjetur një zgjidhje. Ishte e pamundur për partitë shqiptare ta arrinin marrëveshjen apo konsensusin pa ndihmën tuaj.

Ambasadorja Kim: Mendoj se është me rëndësi për udhëheqësit që t’i qëndrojnë fjalës së tyre. Kështu, të gjitha partitë kishin rënë dakord të arrinin një marrëveshje deri më 31 Mars, apo jo? Kaloi ca kohë për shkak të Covid, por kur u zgjat shumë, mendoj se u bë e qartë që iu duhej pak ndihmë dhe isha e lumtur ta ofroja atë.

Reforma në Drejtësi, ambasadorja Kim: Po ecën mirë, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë

Yuri Kim ka komentuar edhe ecurinë e Reformës në Drejtësi. Kim shprehet se Reforma në Drejtësi po ecën mirë.

Ajo shprehet se shumë institucione janë ngritur dhe shumë shpejt do të kenë rezultatet e para. Kim bëri dhe një deklaratë të fortë duke thënë se koha e pandëshkueshmërisë po mbaron dhe tashmë me institucionet e reja do dënohen të gjithë ata që thyejnë ligjin.

Blendi Fevziu: Ambasadore, le të flasim për Reformën në Drejtësi. Ajo u bë nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e tyre financiare. Tani, katër vjet e katër muaj pasi reforma u votua në parlament, kemi ngecur. Çfarë ka ndodhur?

Ambasadorja Kim: Nuk jam dakord me karakterizimin që bëni. Nuk mendoj se kemi ngecur. E dini çfarë është? Ke të drejtë: katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, ama më duhet të them që është bërë përparim. Katër vjet e katër muaj më parë, u hartuan ligje me mbështetje unanime nga të gjitha partitë, apo jo? Nga ajo kohë, gjykatat janë ngritur, gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë në punë, gjyqtarë dhe prokurorë i janë nënshtruar Vettingut. Në muajin e fundit, në javët e fundit, edhe Gjykata Kushtetuese po ecën përpara. Tani ka kandidatë për dy vendet bosh. Ndaj mendoj se është karakterizim i gabuar të thuash se kemi ngecur. Mendoj se ka njerëz që duan të besojnë se kemi ngecur, që duan të na bëjnë të ngecim, por nuk do të thotë se kemi ngecur.

Blendi Fevziu: Por në vitin 2016, kur Parlamenti e votoi reformën, a mendonit se do merrte kaq kohë për ta zbatuar atë?

Ambasadorja Kim: Si?

Blendi Fevziu: Në fillim, ideja ishte se duhej shumë kohë për zbatimin e reformës?

Ambasadorja Kim: Mendoj që sa më shpejt aq më mirë, por mund t’ju them që edhe në vende të tjera, kur sheh diçka kaq madhore sa reforma në drejtësi, rindërtimi i një sistemi të tërë gjyqësor, merr kohë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë dhe nuk është e përsosur. Ndaj, unë nuk e humbas shpresën për situatën në Shqipëri. Por, është po ashtu e vërtetë se jemi në një çast kritik. Ata që janë kundër reformës në drejtësi po intensifikojnë përpjekjet dhe mendoj se ne që e mbështesim reformën, dhe këtu përfshij Shtetet e Bashkuara, miqtë tuaj europianë, popullin shqiptar, është koha të këmbëngulim dhe të shtyjmë fort përpara.

Blendi Fevziu: Ambasadore, reforma në drejtësi largoi nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë por aktualisht është shumë e vështirë të zëvendësohen. Kjo do të thotë që nuk kemi burimet për t’i zëvendësuar. Çfarë do të bëjmë në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Mendoj se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u gjetën si të korruptuar ishte shumë më i lartë në përqindje se sa ishte parashikuar. Deri tani, mbi 60% janë larguar nga sistemi. Mendoj se Shkolla e Magjistraturës po punon fort për të prodhuar më shumë gjyqtarë dhe prokurorë. Mendoj po ashtu se gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë kaluar Vettingun tashmë po dalin përpara për të bërë më shumë ndaj, mendoj se po ecim përpara. Edhe një herë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë, nuk është e përsosur, por po ecim përpara.

Blendi Fevziu: Jeni e kënaqur me këtë reformë apo me produktin e kësaj reforme?

Ambasadorja Kim: Asnjëherë nuk jam e kënaqur dhe as populli shqiptar nuk është i kënaqur, por kjo është arsyeja pse na duhet ajo.

Blendi Fevziu: Por ambasadore, kemi dëgjuar për shumë kohë që peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj.

Ambasadorja Kim: Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehjet që përdorni përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit.

Blendi Fevziu: Ç’doni të thoni se po i afrohet fundit?

Ambasadorja Kim: Do të thotë që në muajt e fundit, kemi parë SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë. Tani, nuk mund të flasin për këtë publikisht sepse kjo është natyra e punës së tyre si prokurorë, por mendoj se do fillojmë të shohim disa rezultate.

Blendi Fevziu: Po, por faktet janë që ne jemi vendi më i korruptuar në Evropë, sipas raporteve. Kemi pasur shumë probleme deri tani dhe asnjë nga njerëzit e fuqishëm nuk është dënuar në 30 vitet e fundit. Kur do fillojmë të kemi rezultate konkrete të këtyre hetimeve, nga SPAK, nga reforma në drejtësi?

Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat ‘katër vjet e katër muaj’ është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate.

Blendi Fevziu: Në fillim, kishte shumë shpresa kur u krijua SPAK se ai do të luftonte korrupsionin dhe implikime të tjera të zyrtarëve të lartë, por njerëzit tani ndihen sikur SPAK nuk është ku duhet. Është e vërtetë? A besoni ju tek SPAK?

Ambasadorja Kim: Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë. Ka njerëz që do të jenë gjithmonë pesimistë për këtë projekt. Pesimizmi është i lehtë, por unë shoh faktet dhe ajo që shoh është që kemi gjëra – si Byroja Kombëtare e Hetimit – e cila nuk ekzistonte dhe tani ekziston. Pati një përpjekje për të mos e lejuar Drejtoreshën të merrte rolin e saj. E kapërcyem këtë. Kishim pak njerëz që aplikuan për vendet e hetuesve; në fakt, në fund, aplikuan më shumë se 600 persona për 60 vende. Ndaj, ka përparim. Këta njerëz tani po testohen. Dua që njerëzit të mos heqin dorë nga shpresa. Ata që duan që Reforma në drejtësi të dështojë duan që të hiqni dorë. Duan që të besoni se asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk do të ndodhë ndonjëherë. Është false, është propagandë. Shihni faktet.

Blendi Fevziu: Në fakt, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë vetëm mbështetjen tuaj apo edhe asistencën tuaj? Pra, a ka asistencë të SHBA në ato dy institucione dhe nëse po, çfarë lloj asistence po u jepni?

Ambasadorja Kim: Kemi ofruar mbështetje shumë të fortë në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjuterë, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

Blendi Fevziu: A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK apo BKH?

Ambasadorja Kim: Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm.

Blendi Fevziu: A mund të jetë më i shpejtë se sa është tani SPAK? Aq sa duam ne?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, prokuroria e posaçme, SPAK, janë si ndonjë film aksion.

Blendi Fevziu: Po, të gjithë e mendojnë…

Ambasadorja Kim: Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem.