Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është takuar këtë të enjte me kreun e SPAK, Arben Kraja dhe prokurorët e tjetër të Prokurorisë së Posaçme. Ambasadorja shprehet se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

“U takova me kreun e SPAK, Arben Kraja dhe prokurorët për të ritheksuar mbështetjen e SHBA për punën e tyre të rëndësishme. Pavarësisht kërcënimeve apo tentativave për presion, SPAK është i përqendruar në ofrimin e më shumë rezultateve që tregojnë se askush, pa marrë parasysh nivelin apo pasurinë e tij, nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.

Mënyrat e vjetra duhet të marrin fund në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, të bëhet anëtare e plotë e BE-së, në mënyrë që qytetarët e rregullt të marrin frymë lirisht dhe të bëjnë një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi. Le të vazhdojmë përpara së bashku”, u shpreh ajo.