Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, u ka bërë thirrje liderëve të partive politike në vendin tonë që të tregohen të kujdesshëm me kandidatët për deputetë që do të vendosin në lista për zgjedhjet e 25 Prillit.

Gjatë fjalës së saj në konferencën “Kostot e demokracisë”, ambasadorja Kim theksoi se qytetarët nuk duan që të votojë kriminelë për deputetë.

“Duhen vendosur në lista njerëz që nuk rrezikojnë demokracinë. Liderët e partive duhet të largojnë politikanë të tyre të korruptuar nga lista. Zbatimi i dekriminalizimit është jetik për të ardhmen demokratike. Ata që gjenden në lista janë ata që janë pjesë e zgjedhjes. Sikurse punojnë në sistemin e drejtësisë për të hetuar gjykatësit, liderët politikë të kontrollojnë kandidatët. Populli shqiptar meriton më tepër, populli shqiptar nuk do të votojë për kriminelë. Qytetarët janë ata që do të kenë pushtetin. Ata kanë përgjegjësinë për të vendosur njerëz në detyrë”, u shpreh ambasadorja.

Ndër të tjera, Kim bëri thirrje edhe për transparencë në financimin e partive politike gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Liderët e partive duhet të jenë transparentë për financimin e partive. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral. Inkurajojmë të gjitha partitë që të riafirmojnë angazhimet e tyre për transparencë duke përfshirë edhe financimet e partive të tyre për zgjedhjet e ardhshme”, theksoi ajo.