Zbardhen detaje nga dosja e SPAK që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të këtij institucioni.

Prokurorët kanë marrë indicie për parregullsi në tenderin prej 86 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro nga një raport i kontrollit të lartë të shtetit.

SPAK thotë se kompania fituese nuk i përmbush kriteret e vendosura dhe se ajo duhet të ishte skualifikuar. Në dosjen e SPAK thuhet se ish-drejtori i RTSH ka zhvilluar procedurën e prokurimit për pajisjet gati 1 vit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e këtij kanali televiziv dhe 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali.

Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e Kukësit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe operatorëve sportivë.

Sipas SPAK, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues ka zgjatur në kundërshtim me ligjin afatin e zbatimit të saj. Në këtë mënyrë, thuhet në dosjen e SPAK, ish-Drejtori i RTSH-së ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.