Policia ka zbardhur vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur më 1 Shkurt në Fier. Katër janë personat e shpallur në kërkim, ndërsa mësohet se janë sekuestruar dy automjetet e përdorura nga autorët e dyshuar të ngjarjes.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve. Ata janë Albert Zaja, 37 vjeç dhe Elmir Tufa, 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë; Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, banues në Tiranë.

Për këta persona Gjykata e Fierit ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

“Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale”, thotë policia.

Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë të cilët kanë vepruar për llogari të fisit me cilin Kastrati kishte hasmëri prej vitesh. Hetimet janë përqendruar te pista e hakmarrjes dhe konfliktet e familjes Kastrati.

Një prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Elson  Xhecuka, është vëllai i Hektor Xhecukës, i dyshuar si vrasës me pagesë. Në 2018-n Hektor Xhecuka u arrestua për vrasjen e Emiljano Boçit, ngjarje e ndodhur në Tiranë më 14 Janar të po atij viti. Ai kishte qenë po ashtu i arrestuar edhe në vitin 2015 për një vrasje të mbetur në tentativë.