Kur flitet për jetë përtej planetit tonë, të paktën n sistemin tonë diellor, vëmendja është përqendruar gjithmonë tek planeti Mars dhe, ne kohë më të afërta, te sateliti i Jupiterit Europa, ose ai i Saturni, Titani.

Por të hënën astronomë të universitetit të Kardifit në bashkëpunim me të tjerë kanë botuar një artikull në gazetën shkencore Nature Astronomy që mund të shkaktojë një revolucion në kërkimin e jetës jashtëtokësore.

“Kemi zbuluar një gaz të rrallë të quajtur fosfinë në atmosferën e planetit Venus. Arsyeja që bën të rëndësishëm zbulimin është se në Tokë prodhimi i atij gazi shkaktohet nga mikroorganizma që jetojnë në ambiente pa oksigjen. Për këtë arsyeje mendojmë se mund të kemi zbuluar një lloj organizmi të gjallë në retë e Venusit”, deklaroi Jane Greaves, profesoreshë e Universitetit të Kardif dhe drejtuesja e projektit në fjalë.

Fosfina është prodhuar si armë kimike gjatë luftës së Parë Botërore

Atmosfera e Venusit është totalisht e pabanueshme nga temperaturat e larta, ndërkohë që në lartësi 50-60 kilometra nga sipërfaqja temperaturat bien dhe premisat teorike për  zhvillimin e jetës ekzistojnë. Por zbulimi i këtyre ditëve mund t’i japë vulën e provave shkencore kësaj hipoteze.

Fosfina është një gaz që mund të krijohet edhe artificialisht, dhe duke qenë se është toksike për çdo qenie që përdor oksigjen, është prodhuar si armë kimike gjatë luftës së Parë Botërore.

Tani, ai simbol i vdekjes së gjeneruar nga njeriu mund të shndërrohet në dëshminë e jetës në Univers.