Gjatë një fjalimi mbrëmjen e djeshme, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy pretendoi se morali i forcave ruse ka rënë teksa ka shtuar se forcat e tij deri tani kanë vrarë 9,000 pushtues. Zelenksy tha gjithashtu se vendi i tij i kishte prishur planet Rusisë, duke thënë se është krenar për rezistencën heroike ndaj pushtimit të Moskës.

“Ne jemi një komb që theu planet e armikut brenda një jave”, tha Zelensky.

Presidenti tha se ai i admiron banorët heroikë të qyteteve që i kanë rezistuar avancimit të forcave ruse. Ai shtoi se rreth 9,000 ushtarë rusë ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit, një pretendim i kundërshtuar nga Moska më vonë.

Zelensky akuzoi gjithashtu trupat ruse për plaçkitje nga nevoja e dëshpëruar për ushqim. Ai tha se civilët ukrainas i kishin dëbuar ushtarët e Putinit nga dyqanet ushqimore teksa po kërkonin ushqim.

“Këta nuk janë luftëtarë të superfuqisë, janë fëmijë të hutuar që u përdorën. Nuk do të kenë paqe këtu, nuk do të kenë ushqim këtu, nuk do të kenë asnjë moment të qetë këtu”, paralajmëroi ai.

Më herët, një video e një ushtari rus që shpërtheu në lot ndërsa fliste me nënën e tij në telefon pasi u dorëzua te ukrainasit u bë virale në të gjithë botën. Pamjet tregonin një ushtar rus të ri në moshë, të cilit pasi ishte dorëzuar, qytetarët ukrainas i kishin dhënë për të ngrënë.

Teksa po hante, ushtarit i ofrohet telefoni për të folur me të ëmën. Një nga gratë ukrainase dëgjohet duke i folur në telefon nënës së tij duke i thënë:

‘Natasha, Zoti qoftë me ty. Ne do t’ju telefonojmë më vonë. Ai është gjallë dhe i shëndetshëm.’