Prej disa ditësh po punohet për të qartësuar shkaqet e vdekjes së Maradonës, ish-futbollistit të madh argjentinas. Bota e futbollit ende po e vajton ish-kampionin e botës, ndërsa në Argjentinë po mundohen të kuptojnë, nëse është bërë gjithçka në mënyrë korrekte sa i takon trajtimit mjekësor të tij, apo jo.

Gjaku, urina, tamponët e hundës të marrë gjatë autopsisë, bashkë me zemrën, do të analizohen në laboratore të ndryshme, si pjesë e hetimit që po kryhet, siç bën me dije agjensia shtetërore e lajmeve, “Telam”. Por nga disa burime jozyrtare është përhapur lajmi se zemra e Diegos peshonte sa dyfishi i një zemre normale. Sipas mjekëve që kanë kryer autopsinë, Maradona vuante nga kardiomiopatia dhe zemra e tij peshonte më shumë se 500 gramë.

Një element i ri që do të vlerësohet bashkë me studime të tjera toksikologjike, nëpërmjet të cilave do të përcaktohet, nëse Maradona ka pasur gjurmë alkooli, droge apo substancash të tjera në trup gjatë orëve para vdekjes. Pjesa më e madhe e analizave do të bëhet të mërkurën në selinë e policisë shkencore në qytetin La Plata.