Në prag të çerekfinales së parë të Champions-it kundër Liverpool, në konferencë për shtyp doli trajneri Zinedine  Zidane dhe Nacho. Java vendimtare për Real Madridin fillon këtu, teksa ngërthen edhe klasiken e La Liga-s kundër Barcelonës.

Dy fjalë për Salah – “Ai nuk është lojtari im. Unë kam 25 lojtarë këtu, jam shumë i lumtur me ta, po shijoj momentin. Ajo që më intereson është ndeshja e nesërme, kundër futbollistëve si Salah”.

A e shikoj finalen e vitit 2018 – “Ne nuk mendojmë për të kaluarën. Duhet të jetojmë të tashmen, kjo vlen për të dyja ekipet. Për ata është një ndeshje tjetër, edhe për ne gjithashtu”.

Rreziku që vjen nga Liverpool – “Është një ekip shumë i plotë. Të tre sulmuesit janë shumë të mirë, po flasim për një ekip shumë të fortë. Pastaj, kur bëhet fjalë për të luajtur si ekip, është shumë i mirë. Nuk ka asnjë pikë referuese. Liverpool ka një efektivitet të rëndësishëm”.

Dëmtimet te Liverpool – “Ata kanë lojtarë të tjerë të shkëlqyeshëm, të cilët mund t’i zëvendësojnë të lënduarit që mungojnë. Edhe ne kemi dëmtime, por forca është gjithmonë tek ekipi. Dikush do të mungojë gjithmonë”.

Vlerësimi për Klopp – “Ai është një trajner i shkëlqyeshëm, stërvit prej një kohe të gjatë dhe ka përvojë. Puna që ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij është aty, e njohin të gjithë. I kam studiuar të gjithë trajnerët, kam mësuar shumë gjëra edhe prej tij kur po bëja kursin”.

Si duhet luajtur me Benzema – “Të gjithë lojtarët që janë këtu dinë të luajnë. Ata kanë fituar të drejtën për të luajtur në këtë klub të madh. Të gjithë e kuptojnë Karim shumë mirë, edhe Karim pjesën tjetër. Kjo është ajo që po ndodh në fushë, ka shumë kimi”.

Ajo që pret nga Hazard – “Unë kam nevojë për të gjithë lojtarët e mi, gjithmonë. Më pëlqen t’i kem të shëndetshëm. Kur dikush është i dëmtuar, nuk më pëlqen aspak. Ajo që duam të bëjmë është ta rifitojmë Hazard sa më shpejt të jetë e mundur. Na mungojnë edhe disa të tjerë. Shpresoj t’i kem të gjitha para fundit të sezonit”.

Ndeshja e sezonit – “Më e rëndësishmja, sepse është ndeshja tjetër që kemi përpara. Ne përqendrohemi vetëm në sfidën e radhës”.

Si finale me Liverpool – “Një raund nokauti me dy ndeshje. Ne e dimë se kualifikimi është 180 minuta, ose më shumë larg, por së pari na intereson ndeshja e nesërme”.