Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaron se pika më kritike në Karaburun mbetet kufiri me Parkun e Llogarasë, pasi zjarrin po vijon të përhapet me shpejtësi.

Në një intervistë për Klan News, Peleshi u shpreh se po punohet me kapacitet të plotë për të vënë flakët nën kontroll dhe në terren ndodhet dhe helikopteri nga Holanda.

Ndërkohë sipas tij zjarret janë të qëllimshëm dhe po punohet për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Niko Peleshi: Pika më e rrezikshme në gadishullin e Karaburunit mbetet kufiri me Parkun e Llogarasë. Sot kemi lajmin më të mirë të këtyre ditëve, në majën e Karaburunit, në lartësinë 1350 metra, aty ku fillon Parku i Llogarasë dhe ne kemi patur përqendrimin e madh të trupave dhe të punës me mjetet ajrore, thuajse nuk ka asnjë vatër. Për momentin kemi 0 vatra, por gjithnjë lindin në mënyrë të papritur. Kemi një dyshim të fortë për zjarrvënie të qëllimshme.

Deri para një ore zjarri ka qenë shumë i egër dhe deri tani jemi optimistë që do ta eleminojmë. Kemi bërë fluturime me helikopterin Chinook të marrë si kontribut i shtetit holandez. Mbi 150 mijë litra ujë është hedhur mbi këtë vatër. Ka ende punë, por është e menaxhueshme për momentin.

Në mesnatë ka shpërthyer një vatër e re, e rrezikshme për shkak të popullimit të zonës. Bëhet fjalë për gjirin e Gramës, ku ka edhe turistë. Prefekti është koordinuar me Policinë e Shtetit, janë larguar turistët duke i mbajtur larg rrezikut për jetën. Mbetet për t’u menaxhuar edhe nga ajri sepse nga toka është e pamundur, por kemi mjete të fuqishme dhe e lamë si spot të dytë për të ndërhyrë sepse është një gji i izoluar dhe larg rrezikut për të kërcënuar Parkun e Llogarasë.

Numri i vatrave në të gjithë vendin është shumë dinamik pasi çdo 2-3 orë kemi lajmërim për një vatër të re. Një vatër që është aktivizuar në Cakran të Fierit është më afër banesave, por kemi dërguar helikopterin që ka ardhur si kontribut nga Çekia dhe kemi ndërhyrë në kohë.

Në Kukës është dita e tretë që punojmë nga ajri dhe toka, e kemi shmangur rrezikun nga banesat dhe besoj kështu do të jetë deri në fund, por vatra vazhdon të jetë ende aktive dhe e kemi mbështetur me Forcat e Armatosura nga ajri dhe toka.

Marrëveshja fillestare me palën holandeze është për të qenë këtu për rreth dy javë, natyrisht nëse do të jetë e nevojshme. Mesa duket, jemi akoma larg fundit të këtij sezoni të nxehtë dhe çmendurisë së piromanëve, kështu që në këto dy javë do të bëjmë më të mirën dhe do të marrim maksimumin e kontributit të tyre, por padyshim nëse do të ketë nevojë, jam i bindur që nuk do të mungojnë dëshira dhe vullneti për ta zgjatur këtë kohë të bashkëpunimit.