Nga Bedri Islami

Në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Sunday Times”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në afshin e halucinacionit politik që e ka mbërthyer pas vendimit për pranimin e rreth 3.000 mijë afganëve, deklaroi se : “Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë. Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë….”.

Edi Rama, ashtu si unë, ashtu si më shumë se një e treta e shqiptarëve në Shqipërinë londineze, ka qenë një i ikur. Nuk e di se cili hall e ka shtyrë atë të jetë emigrant apo udhëtar i shtigjeve të Evropës, çfarë ka rrezikuar në vendin e tij, kush ishte brenga; nuk e di se cilët nga njerëzit e afërm të tij ishin të mbuluar tej e përtej me ferexhe, kush nuk lejohej të niste një jetë ndryshe, apo, edhe më përtej, cila do të ishte sozia e jetës së tij në Afganin e largët.

Unë e kuptoj dëshirën e zotit Rama për të bërë deklarata të bujshme, jo rrallë herë të nisura nga një pasion i çastit apo kuri i ishte dashur të gjejë shkaqet e një vendimi, qoftë edhe si ky: e kuptoj se Ai, si kryeministër, duhet të gjejë rrugën për të bërë më të pranueshme dëshirën e vendimin e tij: ajo që nuk e marr dot me mend është në të vërtetën se ku, në çfarë të përbashkët, Edi Rama njëson vendin e tij, që është më shumë vendi ynë, me Afganistanin.

Cilat të përbashkëta gjeti, ku, në çfarë lëmi, në cilin zhvillim, të cilat i duken si Afganistani i tanishëm, dhe nga cili ferr synoi vetë ai të ikte ngutshëm, kudo të mund të ishte edhe sot e kësaj dite? Nëse kjo është një bindje e formuar në mendimin e tij politik e qytetar, atëherë lehtësisht mund të pyetet: “Po ti, zoti kryeministër, cili afgan ishe 30 vite më parë”?

Edi Rama është njeriu politik që ka qëndruar ndoshta më gjatë në pushtet, qoftë si ministër, si kryebashkiak dhe tani po nis vitin e tij të nëntë si kryeministër i vendit.

Ai ka jetuar edhe para 30 viteve në Shqipëri. Nuk është i pavëmendshëm dhe kujtesën e ka ende të furishme, të qëndrueshme dhe, atë që nuk e harron, nuk e fal. Ka bërë jetë aktive si njeri i zakonshëm dhe ka pasur mundësinë të thotë mendimin e tij si bindje politike, qoftë edhe tek të afërmit.

Ka dashuruar dhe ka patur çastet e tij të lirisë, si shumë artistë të tjerë, e , ndryshe nga ata, si Ali Oseku, nuk është dënuar kurrë, e mirë që ka ndodhur kështu, pasi sot do të na duhej të gjenim një shef qeverie në shumicën e tashme qeverisëse.

30 vite më parë, unë kisha 30 vjet që nuk e kisha tim atë, ai, për fat, e kishte, dhe i ndjeri Kristaq Rama la pas vetes monumente të denja për kohërat. Si edhe ne të tjerët, nuk e besoj se ai ka parë gra me burki, mbuluar nën ferexhe; si pedagog artit ai e di se në Institutin ku bënte pjesë kishte djem e vajza; në mbylljen e botës ata kishin lirinë e tyre; një brez i ndryshëm kishte kohën e tij, ai bënte pjesë në këtë brez, por , për dreq, nuk e gjej dot se, me cilin afgan më ngjan.

Ne nuk jemi i vetmi popull që emigrojmë, – një e treta e suedezëve kanë mërguar në fillimet e shekullit të shkuar – shpesh herë për të gjetur një jetë më ndryshe, ndjellëse, dhe,duhet thënë, është bërë mirë që ka ndodhur kështu. Nëse të gjithë do të ishim në vendin tonë, që, për shkak të keq qeverisjes, nuk është në gjendje të mbajë denjësisht as gjysma e atyre që janë në Shqipëri,kushdo mund të mendojë se si do të ishin mbushur përsëri anijet.

Shqiptarët po largohen përsëri, edhe pas 30 viteve. Nuk po ikin duke u kapur në anët e jashtme të avionëve. Kjo nuk do të thotë se jemi ende Afganistan, në atë prapambetje ku mesjeta përsëri mbizotëron.

Është e njohur dëshira e kryeministrit për “gjetje” të reja, si është kjo; e, po aq e vërtetë bindja e tij se gjithçka që mendon ai është e saktë dhe e drejtë.
Nuk kam nostalgji për kohën e para 30 viteve dhe, në mos tjetër, luftën , sidomos luftën e Kosovës, e kam njohur më mirë se të gjithë kryeministrat shqiptarë së bashku.

Shqipëria e 30 viteve më parë, i nderuar kryeministër, ishte e mbyllur, liria e fjalës paguhej me jetë ose burgime të rënda, shumë e kanë paguar mendimin e lirë. Një pjesë e familjes sime,po; për fat asnjë pjesë e familjes suaj.

Por Shqipëria kishte 30 vite më parë korpus universitetesh, që ishin shumë më dinjitozë se 30 vite më pas; kishte profesorë të jashtëzakonshëm, ndaj të cilëve të sotmit duken si liliputë; ai rrjet shëndetësor që ishte të bindte më shumë se ky që keni ndërtuar pas 30 viteve; kishte gra ministre që kur u ndanë nga jeta lanë pas vetes divanët e vjetër, se , me aq sa dinin, punuan ndershmërisht – ndërsa zonjat ministre të sotme e të djeshme, në këto 30 vite janë pjesë e oligarkissë financiare;

30 vite më parë, në qytetin tim të lindjes shkonin në punë 48 mijë njerëz, ndërsa tani e gjithë zona industriale është gërmadhë – e asnjë qeverie, majtas a djathtas nuk i bie ndër mend për Shkodrën; liqeni i qytetit trotuaret i ka të bukura, punë e paqme, por në ujërat e tij askush nuk lahet, sepse është “ pushtuar” nga barnat e gjarpërinjtë, e dikur aty gjenin prehje thuajse gjysma e qytetit…

Edhe ju vetë e dini se krahasimi juaj çalon. Etja për të qenë i veçantë dhe i besuar ju bën të gabueshëm. Lehtësisht. Ju, mund ta keni përfytyruar veten si një afgan, unë, jo. As atëherë, as sot. Ata janë në fatin e tyre, që shpesh herë e pranuan lehtësisht. Ne jemi në fatin tonë, që shpesh herë lejuam të na e grabisin lehtësisht.

Edhe në këto 30 vite!

 

Botuar në DITA