Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas sulmit me armë të ndodhur në televizionin Top Channel pak orë pas mesnatës të së dielës.

Përmes një mesazhi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Begaj shpreh ngushëllimet për familjen Kola për humbjen e njeriut të tyre ndërsa kërkon nga organet ligjzbatuese të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë.

“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shprehet Begaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës të së dielës ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të televizionit.

Për pasojë ka humbur jetën roja i objektit, shtetasi Pal Kola, 60 vjeç.