Grupi parlamentar i Rithemelimit ka zhvilluar një mbledhje sot në mesditë ku ka diskutuar për aksionin opozitar. Por jo gjithçka ka vajtur mirë, pasi disa deputetë janë akuzuar si “spiunë” të mediave dhe për këtë arsye tre deputetë demokratë janë larguar nga mbledhja e grupimit të opozitës.

Në debatin me dyer të mbyllura, deputeti Tritan Shehu ka hedhur akuza se dikush po nxirrte informacione nga mbledhja.

Menjëherë pas kësaj deklarate, Helidon Bushati, Agron Gjekmarkaj dhe Dashnor Sula janë larguar nga mbledhja.

Tritan Shehu: Pse dalin diskutimet nga kjo mbledhje? Është e palejueshme dhe e papranueshme që na dalin fjalët. Ne duhet të kemi një deklaratë të ashpër si grup për të mbrojtur liderin e opozitës, Sali Berishën.

Helidon Bushati: Tritan unë po çohem që mos kem asnjë peng, që ta dish që s’ta kam nxjerrë unë. Pra po pastrohem. (Ikën nga mbledhja)

Agron Gjekmarkaj: Po iki edhe unë Tritan, një spiun më pak këtu, që unë të mos akuzohem.

Dashnor Sula: Edhe unë po iki Tritan.