Nga Edon QESARI

Dy adoleshentë, të përforcuar me parà dhe modele gangsterësh mediatikë, rrahin për vdekje një bashkëmoshatarin e tyre. Si shkak dëshmohet të ketë qenë një grindje banale për radhën te berberi. Kushdo ta ketë nisur përballjen, ngado të ketë ardhur moskorrektësia në pritje të radhës, çmimi ka qenë një jetë e mitur që është ndëprerë. Me dashje apo padashje, nga synimi për të dhënë thjesht një mësim apo nga qëllimi i drejtpërdrejtë për ta hequr qafe një person, dy adoleshentët vrasës, bash për shkak të moshës, mund t’ia hedhin dënimit maksimal.

Ç’mbetet në mesin tonë është një moral shoqëror i tejmbushur me kategorinë e përjashtimit: një brez të rinjsh që nuk marrin parasysh pasojat, mbi vete dhe të tjerë, të veprimeve të tyre; që janë të bindur se ata janë të përjashtuar nga normat që rregullojnë jetën mes njerëzve, se ata jetojnë mbi ato norma apo se mjetet që kanë në dorë (paratë, modelet e përftuara në komunitet, e deri armët) i lejojnë që të mos jenë si të tjerët.

Në Tiranën e adoleshencës sime, përsonazhe të tilla, mbase prindër të të singjashmëve të sotëm përdornin zakonisht një refren për të shprehur mospërfilljen e tyre ndaj rregullave, për të treguar se nuk pyesnin askënd dhe asgjë – për t’i shprehur botës se ata vetë nuk ishin vdektarë të zakonshëm dhe se përbënin, në mesin tonë, një përjashtim: “I q… motrën më t’bukurit!”.

Motër pas motre të bukurish, rreth e rrotull ka mbetur vetëm shëmtia e pasardhësve të atyre të jashtëzakonshmëve. Që janë bërë tashmë kaq të zakonshëm. Deri te radha te berberi…