Shoqata e Transportit kërkon rritjen e biletës në 80 lekë. Rritja e çmimit të hidrokarbureve ka nxitur kompanitë e shërbimit urban qytetas të kërkojnë më tepër financim nga ana e qeverisë.

Pas disa deklaratave publike për heqjen e akcizës së naftës dhe TVSH në shitje, operatorët kërkojnë që çmimi i biletës të rritet. Gjatë kësaj të marte, është parë një kaos në stacionet e urbaneve për shkak se flota e shërbimit është përgjysmuar. Aktualisht, vetëm 50% e mjeteve janë në operim.

“Siç e shohim stacionet janë plot me njerëz, sepse nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë 220 lekë për litër me shumicë. Natyrisht kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë, por ndërkohë edhe t’i shërbejë qytetarëve. Nëse do vazhdojmë me këtë situatë, kapitullimi i transportit do jetë për 3-4 ditë maksimalisht. Ne jemi të varur nga rritja e çmimit të naftës dhe duke pasur një heshtje totale nga instancat, ne konkretizuam pikat konkrete se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike. Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe që është më emergjentja, është rritja e çmimit të biletës. Kjo për shkak se do jepte një mundësi që të kishim transport në Republikën e Shqipërisë. Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë është llogaritur nga ekspertët tanë në 80 lekë për biletë njëpërdorimshme”, thuhet në njoftimin e shoqatës së transportit.