Rusia nuk do të ndalet tek Ukraina. Me këtë paralajmërim, presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, përpiqet të nxisë reagim edhe më të fortë të Perëndimit kundër agresionit rus në Ukrainë.

Në një intervistë për programin “World News Tonight” për Abc, njeriu që është kthyer në heroin e rezistencës, bëri parashikimin e zymtë të një Lufte të Tretë Botërore.

“Kjo luftë nuk do të përfundojë kështu. Një sulm ndaj lirive në shtete të tjera, do të nxisë Luftën e Tretë Botërore”, tha presidenti i Ukrainas.

Zelensky e cilëson presidentin Putin si një kriminel lufte dhe theksoi edhe një herë nevojën që NATO-ja dhe SHBA-ja të ndihmojnë për të siguruar hapësirën ajrore të Ukrainës.

“Nuk mund të lejojmë që Rusia të jetë aktive mbi qiejt tanë, pasi po na bombardon po na hedh raketa, po na sulmon me avionë lufte. Ne nuk i kontrollojmë qiejt tanë”, deklaroi Zelensky.

Ai shtoi se presidenti amerikan, Joe Biden, mund të bëjë më shumë për të kthyer paqen. Duke ju referuar kushteve të Rusisë për të ndalur luftën, lideri ukrainas tha se nuk janë të gatshëm të pranojnë ultimatume.

Zelensky refuzoi listën e kushteve të caktuara nga Moska dhe i kërkoi presidentit Putin të angazhohet në dialog të vërtetë.

Më herët gjatë së hënës, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se lufta do të ndërpritej në moment nëse Ukraina ndalte aksionin ushtarak, ndryshonte Kushtetutën për të garantuar neutralitetin, njihte Krimenë si territor rus dhe Republikat e Luhansk dhe Donetsk si të pavarura.