Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, është pajtuar ta furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato tashmë.

Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e dokumenteve sekrete amerikane në vite.

I titulluar “Evropa: Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet” e 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Grafiku tregon se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte ndihma në armatime ose e kishte bërë tashmë këtë. Aty thuhet gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është klasifikuar si sekret që ndalon shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të zbulimit dhe ushtritë. Ai mban datën 2 mars dhe vulën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve.