Si e inskenoi Eduard Shalsi vjedhjen e 20 milionë Eurove, kur ishte ministër i Sipërmarrjes

7Në raport- informacionin Nr. 13/1, datë 24 shkurt 2022, që Ministria e Financave i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, thuhet se nga fondi 20 milionë Euro që i janë dhënë për administrim Ministrisë së Sipërmarrjes, 11.5 milionë Euro janë zhdukur me letra fiktive për gjoja shpenzime administrative, me urdhër të ish-ministrit Eduard Shalsi…

Me Raport- Informacionin Nr. 13/1, datë 24 shkurt 2022, të Ministrisë së Financave, informohet kryeministri Edi Rama, për një vjedhje fondesh publike, realizuar me skenar të ish-ministrit Eduard Shalsi, nëpërmjet Ministrisë së Shtetit të Sipërmarrjes.

Bëhet fjalë për fondet e pagesave dhe kompensimeve financiare të bizneseve, si ndihmë shtetërore zbutëse ndaj bllokimit të punës gjatë situatës së pandemisë “Covid”-19; 20 milionë Euro prej të cilave i administroi ish-ministri Eduard Shalsi, megjithëse nuk kishte asnjë kompetencë ligjore angazhimi e ekzekutive si ministri e si ministër.

Me Akt-Normativ të datës 3 prill 2020, qeveria ngarkoi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për dhënien e këtyre pagave e kompensimeve financiare në vlerë totale 135 milionë Euro, për bizneset aktive sipas listë- pagesave të punonjësve të regjistruar.

Por siç duket, me urdhër të Edi Ramës, ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, 20 milionë Euro paga e rimbursime për bizneset, ia kaloi Ministrisë së Sipërmarrjes me ministër Eduard Shalsin.

Së pari, këto 20 milionë Euro të dhëna për pagat, janë adresuar në shkelje të plotë të ligjit për buxhetin dhe aktin normativ të qeverisë, për t’u administruar nga ish-Ministri i Sipërmarrjes.

Së dyti, sipas auditit të Ministrisë së Financave, vlera 8.5 milionë Euro u është dhënë 72 firmave të mbyllura, të çregjistruara dhe të kaluara në faliment me vendime gjykate para vitit 2018, kur ishte përcaktuar që duhet ti jepeshin bizneseve që ishin në aktivitet para e gjatë periudhës “Covid-19”.

Por skandali thellohet me tej, me faktin që në raport- informacionin, dërguar kryeministrit Edi Rama, Ministria e Financave, i bëri me dije, se nga fondi 20 milionë Euro të dhëna për paga e kompensime, 11.5 milionë Euro janë zhdukur me letra fiktive për gjoja shpenzime administrative, me urdhër të ish-ministrit Eduard Shalsi.

Po kështu, 2 muaj pas shkarkimit të Eduard Shalsit, ministrja pasardhëse, Edona Bilali, i kaloi Ministrisë së Financave, dosjen e përdorimit të 20 milionë Euro, për të zhdukur gjurmët e vjedhjes me transferim shkresash.

Më 3 prill 2020, kur u miratua fondi total 135 milionë Euro për pagat dhe kompensimet e bizneseve gjatë situatës “Covid 19”, ish-ministri Eduard Shalsi, kërkoi që krejt fondi të administrohej nga ministria e tij, me argumentin se kjo ministri i njeh nevojat e bizneseve.

Madje, Eduard Shalsi kërkoi të administronte dhe 80 milionë Euro fonde, të rimbursimit të çmimeve të lëndëve të para për kompanitë e ndërtimit të investimeve publike; dhe duhet thënë se Babloku nuk ia dha, por e futi në grupin e punës për përzgjedhjen e kompanive fituese.

Saktësojmë, se 8.5 milionë Euro paga lufte, ish-ministri Eduard Shalsi, ua dha firmave ku gruaja e tij Eranda Shalsi, është paguar si projektuese dhe konsulente, madje dhe në firmat ndërtuese që iu rimbursuan për çmimet e lëndëve të para.

Kjo provë vjedhjeje, është në dosjet e Ministrisë së Sipërmarrjes dhe të Ministrisë së Financave, ku SPAK mund të dërgojë agjentët e BKH për ta hetuar./Pamfleti