“NATO nuk ka vënë re ndonjë shenjë të qartë të de-përshkallëzimit në terren, në të vërtetë trupat ruse janë rritur dhe jo pakësuar”. Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg në hapjen e ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel.

“Ne po monitorojmë nga afër se çfarë ndodh. Në të njëjtën kohë, ne po regjistrojmë reagimet e Moskës për dialogun diplomatik dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Por ne jemi ende në pritje të reagimit të Rusisë për përgjigjet tona me shkrim të dërguara më 26 janar”, u shpreh ai.

Deklarata e shefit të NATO-s erdhi pasi, ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se trupat shtesë që ishin vendosur në Gadishullin e Krimesë, ishin duke u larguar nga aty, pas përfundimit të stërvitjes ushtarake. Një ditë më parë, ministria publikoi pamje nga stërvitja e kryer në gadishullin të cilin Rusia ia aneksoi Ukrainës në vitin 2014.