“Shpallja non grata e Berishës është meritë 100% e Sali Berishës”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë që e kanë shoqëruar në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Ramës, SHBA-ja vetëm ka konfirmuar meritën e ish-kryeministrit Berisha për shpalljen non grata, ndërsa shprehu keqardhjen për të gjithë ata që besojnë se ky vendim është financuar nga palë të treta apo faktorë të jashtëm.

“SHBA-ja thjesht e ka konfirmuar vendimin e tyre për meritën e tij për të gjitha ato për të cilat ata e kanë shpallur non grata dhe të thuash që qeveria e SHBA-së mund të financohet nga faktorë të jashtëm për vendime të kësaj natyre do të thotë që SHBA-ja është shtet pa integritet, seriozitet, e dinjitet dhe që kanë një qeveri që korruptohet për qëllime të të tretëve. Kjo është jashtë realitetit, këto vendime merren me procese të mirëpërcaktuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me faktorë të jashtëm”.

Rama thekson që nëse SHBA-ja do të financoheshin nga faktorë të jashtëm, ato do të ishin peng i diktaturave me pasuri marramendëse, por SHBA-ja ka tjetër qasje.

“Nëse SHBA-ja do të financohej kaq kollaj do të ishte peng i diktaturave dhe regjimeve që kanë pasuri marramendëse, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë se SHBA-ja ka tjetër qasje e mënyrë funksionimi dhe është e gjitha një farsë për të ardhur keq dhe keq ata që i besojnë këto marrëzira”.