Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë pretendimet se nisma e Ballkanit të Hapur ka të bëjë me ndonjë ide ekspansioniste apo hegjemonie të Serbisë në rajonin tonë.

“Jam shumë i lumtur për marrëveshjet që kemi arritur të nënshkruajmë sot, pasi ky është kurorëzimi i një pune për dy vite e gjysmë. Kemi punuar që njerëzit t’i shohin këto marrëveshje. E pashë që iu kundërvunë Ramës për nismën, por ata që thonë që unë dua një Serbi të Madhe, apo për ata që flasin për Shqipërinë e Madhe, ju them që nuk ka të bëjë me këtë. Të mos humbasim me këto diskutime të së shkuarës, sepse nuk do të bëjmë dot gjëra për të ardhmen. Duam që njerëzit të vizitojnë qytetet tona, bregdetin e mrekullueshëm të Shqipërisë apo liqenet e Maqedonisë së Veriut. Dua që Serbinë ta shihni si një shtëpi tuajën të dytë, sepse edhe ne dëshirojmë të ndihemi të tillë kur të vijmë në Shqipëri dhe Maqedoni”, tha Vuçiç në konferencën e përbashkët për mediat me Ramën dhe Zaev, pas nënshkrimit të 5 marrëveshjeve në Tiranë.

Presidenti serb rinovoi ftesën për udhëheqësit e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, që t’i bashkohen nismës, por tha se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, do t’ia shohin frytet kësaj nisme. “Prandaj ndonjëherë mërzitem me veten time, sepse vazhdojmë t’u bëjmë thirrje homologëve sikur nuk do të ekzistonim dot pa ta”, shtoi Vuçiç.