Policia e Shkodrës bën me dije se ka zbardhur ngjarjen e rëndë të një dite më parë ku u gjet i vrarë me armë zjarri 32-vjeçari, Endri Mustafa.

Policia ka shpallur në kërkim e Ibrahim Lici, 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së Endri Mustafa.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur Ergys M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri Endri Mustafa.

Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të Ibrahim Licit, në ngarkim të Ergys M. për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të Edison Arazi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.