Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, i ka kujtuar Ramës e Bashës angazhimin që morën me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ajo shkruan në Twitter se ata janë përgjegjës për reformën zgjedhore ndërsa propozimet që bëhen duhet të jenë me besimin e mirë mes palëve.

“I kujtoj kryeministrit Edi Rama, kryetarit të PD-së Basha dhe liderëve të tjerë angazhimin që bënë më 5 Qershor. Angazhimet, propozimet dhe kundër propozimet duhet të bëhen me besimin e mirë mes palëve. SHBA-ja ju mbështet, por ju, liderët shqiptarë jeni përgjegjës”, tha Kim.

Postimin, ambasadorja amerikane e shoqëron me deklaratën e saj në ditën e miratimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 Qershorit.

Opozita dhe mazhoranca nuk kanë rënë dakord për ndryshimet kushtetuese që u miratuan më 30 Korrik. Partia Socialiste ka propozuar në Këshillin Politik draftin e saj për listat e hapura dhe koalicionet.

Ndërkohë opozita ka kërkuar të marrë ekspertizën e OSBE/ODIHR. Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën se duan të minojnë implementimin e Kodit të ri Zgjedhor.