Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dëshmuar përpara prokurorëve belgë lidhur me hetimin për 3.4 milionë eurot e gjetura në automjetet Toyota Yaris në qershor 2018 në Portin e Durrësit.

Basha ka qëndruar rreth 90 minuta brenda godinës së SPAK, ku i është përgjigjur prokurorëve të Belgjikës të cilët prej disa ditësh qëndrojnë në Tiranë për të kryer hetime për dosjen “Toyota Yaris”.

Pas përfundimit të dëshmisë, Basha u shpreh se hetimi për 3.4 milionë eurot nuk është mbyllur, por paratë janë të sekuestruara dhe çështja vijon të hetohet nga pala belge. E në këtë aspekt, Lulzim Basha u shpreh se është në dispozicion të drejtësisë për hetimet.

“Çështja në Belgjikë siç ju kam thënë nuk është mbyllur. Paratë e konfiskuara nuk u janë kthyer, hetimi në Belgjikë vazhdon dhe drejtësia belge është e vendosur t’i shkojë hetimit deri në fund. Në këtë kuadër për herë të dytë dhe sa herë të jetë e nevojshme do të bashkëpunoj me drejtësinë belge, me drejtësinë e çdo vendi partner në luftën kundër korrupsionit dhe në veçanti të lidhjeve të krimit të organizuar me politikën. E bëj këtë në radhë të parë se ky është mision që më përket jo vetëm mua, në emër të të gjithë shqiptarëve. Krimi i organizuar është një fenomen kudo, por përmasat e bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën në Shqipëri janë unike.

Unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge në këtë rast, por do të vazhdojmë të jemi në dispozicion në luftën tonë kundër krimit të organizuar duan apo nuk duan të dyshuarit, të pandehurit, non gratat e shpallur apo të pashpallur.

Ju është thënë shqiptarëve që çështja është mbyllur, janë ndarë paratë. E vërteta është krejt ndryshe, paratë janë konfiskuar, procesi vazhdon në Belgjikë. Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë të PD për të ecur përpara me hetimin. Nuk janë vartësit e askujt përveç ligjit shqiptar.

Prokurorët belgë kanë patur një veprimtari përtej intervistimit tim. Unë kam bindjen që ishte një bisedë konstruktive dhe që i shërben hetimit, dhe me hetimet në zhvillim e sipër nuk mund të flas. Unë i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në Parlament”, deklaroi Lulzim Basha për gazetarët.

Dosja

Ishte Lulzim Basha ai që denoncoi 3.4 milionë eurot të fshehura brenda makinave Toyota Yaris përpara se të mbërrinin në Portin e Durrësit në Qershor 2018. Shumat e parave dyshohet se ishin nisur nga Belgjika.

Kryedemokrati u pyet nga prokurorët belgë për faktin se si ka qenë në dijeni për 3.4 milionë Eurot përpara se të mbërrinin në vendin tonë.

Basha nuk bëri publik burimin e informacionit, duke deklaruar se kjo do të shkelte sekretin hetimor.