Policia ka informuar se Altin Alikaj, 46-vjeçari që u gjet i pajetë në banesë nga nëna e tij, ka dëmtime të ngjashme me ato të shkaktuara nga një armë zjarri.

Uniformat blu kanë dërguar trupin e viktimës në morgun e Vlorës për ekzaminime të mëtejshme.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes”, thuhet në një njoftim të policisë.

46-vjeçari dyshohet se është vrarë disa ditë më parë.

Alikaj mësohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri. Mësohet se disa kohë më parë ka qenë në Kosovë dhe atje i është mbajtur pasaporta. Gjithashtu, sipas burimeve, pas vrasjes atij i është marrë edhe telefoni, të cilin efektivët apo familjarët nuk e kanë gjetur në banesë.

Alikaj kishte dy javë që nuk komunikonte me familjen e tij dhe prej 8 ditësh ishte shpallur i humbur. Ai është gjetur këtë të shtunë i pajetë. Ka qenë nëna e tij, e cila e ka gjetur sot 46-vjeçarin pa jetë brenda shtëpisë së tij, e cila ishte vetëm pak metra nga shtëpia e prindërve të tij.

46-vjecari jetonte vetëm, ndërsa prindërit shumicën e kohës jetonin në Greqi. Në shtëpinë e viktimës janë helmuar më herët qentë e komshinjve, është prerë automati i dritave dhe në banesë është gjetur një sëpatë me gjurmë gjaku.