Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi se është pro Open Balkan. Sipas tij vendet e rajonit duhet ta nxisin këtë nismë në mënyrë që të rritet bashkëpunimi dhe të zhvillohet ekonomia.

“Admiroj se sa fort e ndjeni këtë nismë sepse ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani. Nuk është Bashkimi Europian që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot dhe ju vazhduat të shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm që ne të tërhiqnim pjesëmarrjen e gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe sidomos mënyrën se si kjo nismë do të mund të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj,” – deklaroi komisioneri.

Sipas tij çdo bashkëpunim rajonal është në të mirë jo vetëm të vendeve të Ballkanit, por edhe të vendeve të BE-së.

Varhelyi nënvizoi se do të ishte ideale që të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ktheheshin tregut të përbashkët rajonal. Ndërkaq, komisioneri ftoi edhe vendet e tjera t’i kthehen bashkëpunimit rajonal.

Ai rikujtoi se vetë është nga Hungaria dhe e ka më të lehtë t’i kuptojë nevojat e Ballkanit.