Presidenti Ilir Meta do të dërgojë ditën e sotme në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës kallëzimin që pati njoftuar disa ditë më parë pas shqyrtimit të çështjes së shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i shtetit tha se kallëzimi do të jetë kundër strukturave dhe funksionarëve përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim të falsifikimit të dokumenteve.

“Sot kam firmosur kallëzimin penal si President i Republikës kundër strukturave dhe funksionarëve përgjegjës, në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim, atë të falsifikimit të dokumenteve. Sapo ky kallëzim të depozitohet në Prokurorinë e Posaçme dhe në Prokurorinë e Tiranës dhe për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme do ta publikojmë të plotë në faqen zyrtare të Presidencës”, tha Meta.

Presidenti shtoi më tej se kjo padi është shumë e rëndësishme dhe tha se falsifikimi është flagrant dhe ka ndodhur në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo është një padi shumë e rëndësishme, për arsye se krimi i falsifikimit, është shumë flagrant, ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër kreut të shtetit dhe ky krim, falsifikim, tregon shumë qartë jo vetëm sesi ka funksionuar Kuvendi 1 partiak i deri para 25 Prillit, por është një dramë sesi po funksionon edhe ky Kuvend me opozitë”, tha Meta.

Meta tha se i mbetet prokurorisë për të hetuar nëse sipas tij ka vullnet dhe është e lirë dhe e pavarur.

Procesi i shkarkimit, Meta: Përpjekje për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shtetit

Ilir Meta ka deklaruar gjatë deklaratës për shtyp këtë të mërkurë se përpjekja për të shkarkuar presidentin është përpjekje për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shtetit.

“Është e qartë që kjo përpjekje, kjo provë e re që askush nuk e kërkon, që vjen pas 8 muajsh, kur procedura ka qenë e qartë antikushtetuese dhe e falsifikuar dhe nga kuvendi 1 partiak i shkarkuar në 25 Prill, sepse vetëm 40 deputetë kanë votuar për shkarkimin politik të presidentit, pra ky akt falsifikimi që kërkon të ligjërojë gjoja procedurën brenda afateve që është e qartë që ka qenë mafioze, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për të finalizuar një grusht shteti, kundër kreut të shtetit”, tha Meta.

Meta tha se kur kjo ndodh me kryetarin e shtetit, çfarë garancie kemi që ligjet që votohen në Kuvendin e Shqipërisë zbardhen besnikërisht?

“Këta edhe për të shkarkuar presidentin falsifikojnë në Gjykatën Kushtetuese, çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend, zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes përsëri në interes të grupeve të caktuara? Çfarë garancie kemi ne që pronat të drejtat e qytetarëve shqiptarë nuk falsifikohen”, u shpreh kreu i shtetit.