“Ta harrojnë të gjithë ata që kanë menduar se në mënyrë mafioze, të gjithë ata rilindës vendas e ndërkombëtarë, mavi dhe blu, se do të varrosin “de facto” pluralizmin politik në Shqipëri dhe do të dhunojnë popullin e Shqipërisë, do të dëshpërohen pafund. Ata do të marrin përgjigjen e merituar dhe për këtë iu jap fjalën. Jam Ilir Meta, u them atyre, o super budallenj”.

Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta në konferencën për shtyp, të kësaj të mërkurë.

Të njëjtin mesazh e ka dhënë edhe ish-kryeministri Sali Berisha 6 vite më parë në parlament.

“Jam Sali Berisha unë o budalllenj. Nuk tërhiqet Sali Berisha o budallenj. Jam Sali Berisha unë, o çakenj, që flisni si çakenj nga vendi. E di si më dukeni ju mua apo jo? Plehra më dukeni. Vij për parlamentin këtu. Më dukeni plehra se të tillë jeni. Para interesit kombëtar nuk njoh asgjë tjetër unë”, u thoshte Berisha në vitin 2016 socialistëve, në një parlament ku kryetar ishte Ilir Meta

Ndër të tjera, ai tha se do të organizojë edhe një festë më 24 korrik, kur i përfundon mandati, duke mos e llogaritur aspak vendimin që mund të japë Kushtetuesja për shkarkimin e tij.

“Më 24 korrik do të bëjmë një festë të gjithë së bashku dhe pastaj aty është populli i 2 marsit, i cili është shtuar shumë kohët e fundit. Me falsifikimet e fundit është acaruar shumë, por duhet të ruajmë qetësinë. Presidenti sillet si danez, por kur kërcënohet rendi kushtetues, do të jetë njësh me Kushtetutën”.