Autoritetet greke kanë vënë në pranga 2 shqiptarë në lidhje me vrasjen e 42-vjeçarit grek Dimitris Skordas në Rafina. Ngjarja ndodhi jashtë një klubi nate, ndërsa Protothema raporton se në ngjarje janë përfshirë 5 shqiptarë. Arrestimet u bënë ditën e sotme. Një prej të arrestuarve ka edhe nënshtetësi greke.

Sipas informacioneve të siguruara nga mediat greke sherri nisi për motive banale. Fillimisht 42-vjeçari ka prekur një nga shqiptarët teksa po shkonte në banjo. Kjo situatë ka sjellë një debat të vogël.

Sipas të arrestuarve, kur viktima u kthye nga tualeti, “i pa shtrembër” dhe aty vendosën që ta sulmonin.

Pesë shokët shkuan jashtë lokalit, pritën që ai të dilte jashtë me të dashurën dhe e sulmuan. Si pasojë e dëmtimeve të mëdha në tru dhe në kafkë, Dimitris Skodras ndërroi jetë.

Ndërkohë autoritetet identifikuan 3 personat e tjerë të përfshirë në sherr. Për zbardhjen e identitetit të tyre kanë shërbyer dëshmitë e njerëzve të pranishëm si dhe kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar mjetin që largohej nga lokali.

Policia greke po përpiqet tashmë që të zbulojë se kush e ka goditur 42-vjeçarin në kokë. Po ashtu nuk është e qartë nëse ata kanë përdorur një shufër hekuri. Katër prej shqiptarëve e kanë dosjen e pastër, ndërsa sipas autoriteteve, vetëm njëri prej tyre është arrestuar më parë për trazira në zonën e Athinës.

Viktima 42-vjeçare ishte banor në Maratona, dhe e frekuentonte shpesh barin ku ndodhi sherri fatal.