Zbardhet vrasja e 62-vjeçarit Bujar Çela mëngjesin e 17 Shtatorit në Bradashesh të Elbasanit.

Tre javë nga ekzekutimi i vëllait i të shumëkërkuarit Talo Çela, autoritetet policore kanë mundur të identifikojnë njërin prej autorëve, që ka qëlluar ndaj viktimës.

Porositësi i kësaj vrasje dyshohet të ketë qenë Erion Alibej, i arrestuar më 18 shtator, pasi akuzohet si porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik, në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi, Emiljano Ramazani, dhe i vrasjes së ndodhur më datë, 29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi, Regis Runaj. Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.

Prokuroria dhe Policia pritet që të japin më shumë detaje rreth hetimeve që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Vrasja

62-vjeçari Bujar Çela sapo ishte ulur në një lokal duke pirë kafe, kur 3 persona të maskuar qëlluan me breshëri arme duke e lënë atë të vdekur në vend.

Bujar Çela dyshohet se u vra si mesazh hakmarrjeje për vëllain e tij, Talo Çelën. 62-vjeçari nuk kishte precedent penal dhe punonte taksist pa licencë, ndërsa familjarët e fqinjët u shprehën se nuk kishte konflikt me asnjë person.

Sa i përket Talo Çelës, ai është njeriu më i kërkuar për momentin nga policia, për kapjen e të cilit është vendosur edhe një shpërblim prej 10 milionë Lekë të vjetra. Ai është në kërkim si një nga anëtarët e bandës së supergrabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit, ndërsa akuzohet se qëndron pas disa vrasjeve.

Vrasja e Bujar Çelës erdhi vetëm dy pas një tjetër ekzekutimi mafioz, atë të Klevis Kapllanit. 33-vjeçari, i cili u vra brenda automjetit të tij, dyshohet se u nxorr në pritë për shkak të ngjarjeve kriminale në Elbasan.

Ndërsa gjatë muajit Korrik, ky qytet u trondit nga dy ngjarje mafioze, vrasja e Emiljano Ramazanit mesditën e 20 Korrikut dhe 9 ditë më vonë ajo e Regis Runajt. Për këto dy ekzekutime, në Shtator, policia njoftoi arrestimin e Erion Alibej, i dyshuar si porositës dhe organizator i tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela lëshoi alarmin se krimi i organizuar po kontrollon qytetin e Elbasanit. Ai tha se ngjarjet e fundit kriminale janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që po ndodh në këtë qytet dhe paralajmëroi se asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shteti.