Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e ftuar në studion e “Dita jonë” në A2, deklaroi se “mësuesit kanë të drejtë që ta vendosin vetë nëse do ta bëjnë tani vaksinën apo në një moment të dytë”.

“Jam shumë e lumtur që e nisëm procesin e vaksinimit dhe mësuesit janë një nga kategoritë prioritare sepse po rrezikojnë dhe sakrifikojnë. Mësuesit kanë të drejtë që ta vendosin vetë nëse do ta bëjnë tani apo në një moment të dytë, pasi mund të ketë mësues që sapo e kanë kaluar koronavirusin. Dozat janë të mjaftueshme për të gjithë mësuesit dhe pedagogët. Është në dorën e tyre ta bëjnë tani apo më vonë. Dozat që kanë ardhur janë të certifikuara dhe monitorojmë çdo mësues”, u shpreh Kushi.

Më tej, ajo premtoi se pagat e mësuesve do të rriten sërish, nëse Partia Socialiste fiton një mandat të tretë: “Kemi rritur 3 herë pagat e mësuesve, për një total prej një 32%, dhe objektivi është që brenda mandatit të ardhshëm të rriten 40% në total”.

Ajo theksoi gjithashtu se qeveria po investon shumë “te trajnimi i mësuesve për t’u përshtatur me mësimdhënien “online”, edhe pas kalimit të kësaj situate”.

Në lidhje me Paktin për Universitetin, Kushi tha: “Pakti për Universitetin është objektiv i yni, madje, edhe pse patëm vështirësi nga tërmeti dhe pandemia, në buxhetin e këtij viti i kemi lënë hapësirë edhe këtij Pakti. Premtimit të punësimit të ekselentëve i kemi qëndruar; janë rikonstruktuar disa rezidenca universitare në të gjithë vendin, ndërkohë që kemi nisur një projekt për Kampusin Universitar të Tiranës, por u vonua nga tërmeti dhe pandemia”.