Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, e pyetur nëse do të ketë tjetër mbyllje, tregoi skenarin pas 2 dhjetorit.

Manastirliu theksoi se situata do të vlerësohet, pasi ky virus ka shumë të panjohura.

“Maska është një masë e gjithë-pranuar sot që funksionon, por duhet shoqëruar me distancim dhe higjienë. Komiteti i Ekspertëve është duke mbajtur nën vëzhgim situatën për gjithçka. Ne do ta vlerësojmë situatën mbi baza dinamike. Shpresojmë shumë në bashkëpunimin e qytetarëve. Ne çdo gjë e kemi arritur falë bashkëpunimit të qytetarëve, duke pasur fleksibilitet edhe tek masat.

Ne nuk e duam mbylljen, por masat kufizuese do të vlerësohen në bazë të situatës, sepse jemi përballë të panjohurave. Ky virus ka edhe të panjohura edhe të njohura. Covid-19 ndërpret transmetueshmërisë kur nuk ka terren dhe kjo arrihet vetëm me maska e zbatim të masave”, tha Manastirliu.

Sokol Balla: Nuk shihni rrezik tek kafenetë që u lanë hapur?

Manastirliu: Në kafe duhet ruajtur distance, pse jo edhe të eleminohet kafja kur është e mundur. Shmangni mbledhjet familjare. Përveç maskës duhet të ruhet distance dhe higjiena

Sokol Balla: Çfarë do të bëjmë me shkollën?

Manastirliu: Kur morëm këtë vendim që ishte politik, por i bazuar në studimin e ekspertëve të ISHP, e bazuar tek të dhënat e Qendrës Europiane të Sëmundjeve Infektive nxorën botime se pse shkollat apo tansemtueshmëria në shkolla nuk sjell një përhapje të lartë të virusit. Sipas ISHP grupmosha e fëmijëve nuk ka pasur rritje të madhe, pra, shkolla nuk është risk i madh nëse qëndron hapur.

Sokol Balla: Po, por janë infektuar mësues, ka edhe prindër që ngulin këmbë që fëmijët e tyre asimptomatikë të vijojnë mësimin. Ndaj them duhen shtuar kontrollet në shkolla.

Manastirliu: Kontrollet janë të vazhdueshme. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se i kemi hapur, por jo pa protokolle, ruajnë distancën, ka turne, maskë, higjienë. Testimi i nxënësve dhe mësuesve është prioritet për ne.