Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për mediat pas përfundimit të Asamblesë së Partisë Socialiste, ndërsa tha se nuk do të ketë ndryshime në organet drejtuese të partisë. Teksa iu përgjigj interesit të medias, Rama tha se çështja e ndryshimeve është çështja që e shqetëson më pak në këto momente.

Sipas tij, mungesa e ndryshimit në organet drejtuese është çështje fokusi, harmonie dhe nevojë e PS-së për t’u përqendruar tek marrëdhënia me njerëzit.

“Është çështje fokusi, çështje harmonie, është çështje e nevojave që kemi”, tha Rama.

Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu pyeti kryeministrin Rama nëse po mendon ta rikthejë Fatos Naton në Partinë Socialiste, për këtë Rama u shpreh:

“Nga e keni marrë këtë lajm? Fatos Nano nuk ka nevojë të kandidojë. Është lideri historik i PS, i ka dhënë në front PS çfarë ka pasur për t’i dhënë. Tani jep me zemërgjerësi eksperiencat e tij dhe këshillat kur unë ia kërkoj. Siç do të bëj dhe unë kur nuk do të jem më kreu i PS dhe kryeministër. Nuk ka nevojë për të bërë audiencë me lajme të tilla pa lidhje”, tha Rama.

Kryeministri u pyet gjithashtu edhe për fatin politik të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Shefi i PS-së vlerësoi kontributin e tij në parti, ndërkohë shtoi se përzgjedhja e Bushatit për të garuar si deputet varet nga vlerësimet që do bëjnë vetë anëtarët e selisë rozë.

“Bushati është një peron që ka kontributet e veta. Çështja e listave është një çështje, e cila do të trajtohet saç thashë dhe në fund do të kemi skeduarën më të mirë dhe më efikase, që do të fitojë më 26 prill”, shtoi Rama.