Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje ditën e sotme pyetjes së gazetarëve për kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike. Lideri historik i demokratëve ripërsëriti se do të kandidoj dhe i ka plotësuar dokumentet, afati i të cilave për t’i dorëzuar është ditën e nesërme.

“Së pari, meqë e hape këtë çështje dua të denoncoj fushatën e paimagjinueshme të financuar me miliona Euro nga qeveria, mafia e Sorosit, jo vetëm ajo dhe të tjerë, kundër kandidimit të Sali Berishës. A mund ta imagjinoni ju? Njeriu ka shpallë publikisht se do kandidojë dhe bën programe a duhet të kandidojë apo s’duhet të kandidojë. A nuk është kjo një fushatë e mirëfilltë që shkel një rregull demokratik Mbrëmë të gjitha televizionet e vendit këtë kishin pyetje kryesore. E pashoqe kjo. Do të kandidoj dhe i kam plotësuar dokumentet. Do t’iu dorëzoj dhe do t’u drejtohem shqiptarëve në mënyrën më besimplotë se kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre. Nuk mundet të pajtohem unë kurrë me këtë situatë në të cilën shqiptarët janë shndërruar në një komb që lindin fëmijë për të emigruar. Kësaj situate do ti jap fund një minutë e më parë”, tha Berisha.

Sa i përket pyetjes nëse e shqetëson fakti që mund të mos ketë asnjë kandidat tjetër përballë, Berisha tha se do të jetë lider referendar. Sipas tij nuk ka garë më të fuqishme se kur të zgjedh populli. Ai u shpreh se nuk do të shpikë rivalë siç bën Edi Rama. Në përfundim, Berisha tha se do t’i përgjigjet vullnetit të votuesve demokratë.

“Pyetja e dytë e juaja nuk qëndron. Atëherë thjesht unë do të jem një lider referendar, i zgjedhur me referendum popullor, por nuk ka garë më të fuqishme se kjo. Në qoftë se të tjerë nuk marrin përsipër të kandidojnë për arsyet e tyre dhe i garantoj për një garë të ndershme me rregulla të plota transparente. Nuk jam unë Edi Rama që shpik rivalë. Atë nuk e bëj unë. Ajo është fake, antidemokratike. Kush të dojë, urdhëro ka një komision të përcaktojë çdo rregull? Nuk duan, atëherë mbetet referendumi dhe unë më datë 22 Maj nëse zgjidhem në një referendum të mbarë demokratëve, në qoftë se nuk zgjidhem i nënshtrohem plotësisht verdiktit të tyre po referendar. Nuk ishte kjo kërkesa ime, por natyrisht një zgjidhje referendare më nderon shumë”, tha Berisha.