Mutacionet e Covid-19, të cilat janë zbuluar së fundmi kanë sjellë sërish ankth në të gjithë botën.

Lidhur me këto mutacione të zbuluara në Angli dhe Afrikë ka folur sot në “Open”, kreu i Urgjencës, Skënder Brataj.

I pyetur nëse ka të infektuar me koronavirusin e ri në Shqipëri, Brataj tha se “nuk kemi laboratorë të tillë”, por shtoi se kemi vende reference ku çojmë mostrën.

“Ne nuk e zbulojmë dot në Shqipëri, ka pika referimi, ne kemi Londrën. Për sëmundjet e veçanta ne kemi laboratorët referentë, çojmë mostrën”, tha Brataj.

Ai gjithashtu theksoi se e rëndësishme është që variantet e reja nuk sjellin një formë më të rënduar të sëmundjes.

“Ka transmetueshmëri më të madhe, veti negative, por nuk shkakton një sëmundje të formës së rëndë, ose sëmundje tjetër, është e njëjta sëmundje. Mutacionet janë midis proteinave të virusit. Numërohen ato që kanë qenë domethënëse deri diku. Shtimi i ri, ky i Anglisë nuk ka prova që shkakton sëmundshëmri më të madhe. Katër muaj do kishte dhënë rezultatet po të kishte ndryshime te virulenca. Format e sëmundjes janë më të lehta, format klinike janë më të lehta. Ndryshimet e virusit duhen ruajtur patjetër. Duhen marrë masa parandaluese që mos shtohet infeksioni”, shtoi Brataj.