Për herë të parë, Ukraina do të ketë në Shqipëri një ambasador rezident. Ambasadori Volodymyr Shkurov u prit sot nga Presidenti Ilir Meta me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Duke i uruar mirëseardhjen dhe suksese në detyrë të parit ambasador të Ukrainës rezident në Tiranë, Kreu i Shtetit theksoi se “kjo përbën një ngjarje historike për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”.

Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Shkurov për pozicionin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Kreu i Shtetit vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë mjaft të mira, duke theksuar njëkohësisht se ka hapësira për t’i zhvilluar ato edhe më shumë, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

Presidenti Meta falenderoi autoritetet ukrainase për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të komunitetit shqiptar në rajonin e Odesës.