Nga Spartak NGJELA

 

Të gjithë ekspertet dhe specialistët e huaj që merren me Shqipërinë, po pyesin me habi duke thënë shpesh: si ka mundësi që të gjitha qeveritë shqiptare kanë rënë në një korrupsion kaq të shëmtuar dhe masiv?
Të gjithë pa përjashtim, si ka mundësi?

I.
Këtë po e pyesin edhe gazetarët e intelektualët e ndershëm, sepse nuk e kuptojnë dot. Nuk arrijnë të kuptojnë, sepse nuk e dinë origjinën e kësaj ngjarjeje, dhe nuk po e marrin dot me mend që të korruptuarit këtë e kanë si një gjë të ditur që iu qëndron brenda tyre; se ata e ndiejnë që ky lloj korrupsioni është një proces që po zgjat përtej 20 vitesh, por që askush nuk është dënuar në Shqipëri. Por, përkundrazi të gjithë janë pasuruar dhe as që e kanë çarë kokën as për rrezikun e dënimit të tyre dhe e as për varfërinë që i kanë imponuar shqiptarëve.

Por ata nuk e dinë gjithashtu që ka shumë vende të cilat korrupsionin e pushtetarëve e konsiderojnë tradhti kombëtare të parashikuar në Kodin Penal, dhe ashtu i kanë dënuar të korruptuarit deri dhe me burgim të përjetshëm.
Kurse këtu në Shqipëri korrupsioni i shtetarit të lartë quhet fat i madh për të, sepse kështu ai krijon pasurinë familjare. Dhe ky lloj gjykimi është kthyer tani në një moral kombëtar.

Il.
Na duhet ta theksojmë se korrupsioni shqiptar erdhi si pasojë e një deviacioni të përgjithshëm psikik i personave që morën pushtetin në një shtet që nuk kishte pushtet gjyqësor të pavarur. Dhe u sulën drejt pasurisë së popullit shqiptar.

Por, çfarë është deviacioni psikik i këtij rasti?
Ky është raporti midis urisë, të uriturit dhe gjëse së vjedhur, prej tij që vjen për të shuar urinë; por edhe i kërkesës së brendshme që vjedhësit të garantojnë edhe të ardhmen e tyre me gjënë e vjedhur.
Ja, kjo ka ndodhur në Shqipëri me korrupsionin e lartë shtetëror, sidomos nga viti 1998 e deri në vitin 2022, sepse duhet ta pranojmë që korrupsioni i kryeministrave dhe ministrave të tyre filloi të qarkullojë në Shqipëri si metodë kriminale, e futur nga Partia Socialiste. Kjo parti erdhi në pushtet e rraskapitur në vitin 1997, si e lënë rrugëve nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, duke i quajtur ata komunistë që duheshin goditur në çdo çast.
Por, ardhja në pushtet e tyre, në vitin 1977, ishte sulmi i parë banditesk kundër pasurisë së popullit shqiptar që kishte ndodhur në Shqipëri që nga viti 1912, kur fitoi pavarësinë.

Komunizmi ra, sepse degradoi nga mediokriteti që komunistët drejtues të shtetit të tyre treguan në lidhje me mbajtjen dhe shfrytëzimn e një tregu, i cili duhej të ishte i lirë.
Kurse ata që erdhën pas tyre, siç e theksuam, iu sulën abuzimit me pushtetin dhe, për të krijuar vlerat e veta materiale, iu vërsulën tregut.
Këta ishin të uritur dhe të lodhur nga keqtrajtimi i egër që kishte kaluar në Shqipëri. Dhe çfarë ndodhi?
Këta ish komunistë të penduar pse e kishin lënë pushtetin në vitin 1992 dhe të egërsuar me një ish komunist që u ishte hequr si “hero i demokracisë”, ndienë fyerje, poshtërim dhe vuajtje. Por tani me vota këta kishin ardhur në pushtet.

Ja, kjo ndodhi në fakt me tregun shqiptar, me grabitjen e shqiptarlve nga viti 1997 deri në vitin 2004, kur socialistët ranë nga pushteti. Por këta birbo u krodhën thellë në korrupsionin dhe krijuan edhe një pushtet gjyqësor të korruptuar që gjithkush që do të vinte në pushtet mund ta shtinte në dorë.

Prandaj në këtë vit që ikën socialistët e korruptuar nga pushteti, erdhi Partia Demokratike që tani e kishte eksperiencën e vjedhjes që kishin bërë socialistët dhe nuk e ndiente më frikën e burgut, siç i kishte ndodhur në herën e parë të pushtetit të saj.
Dhe këta “demokratë ” si të etur tani e me tërbim iu sulën tregut si grabitës të mëdhenj të vlerave materiale. Dhe vidh e vidh, deri në këtë kohë që tani po duket realisht që është kundër tyre.
Pse?
Sepse fuqia e Perëndimit në aleancën e saj krijoi bazën juridike të goditjes së korrupsionit në Shqipëri.
Dhe këtu, te kjo bazë, ka filluar dhe jeton frika e korrupsionit, sepse tani ligji antikorrupsion është në fuqi.
Tani është në fuqi edhe pushtetii gjyqësor antikorrupsion që është i strukturuar dhe që Diçka ka filluar të godasë: ministra e drejtorë të korruptuar, por goditi edhe gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që ndërkohë janë zëvendësuar.
Por ende janë pak, dhe nuk po kuptohet se çfarë po ndodh në SPAK.
Po ku jemi tani në vitin 2023?

III.
Tani jemi në një.pushtet të Partisë Socialiste që ka filluar në vitin 2014 dhe vijon deri sot.
Po mirë, kjo është ende ajo Partia Socialiste që ushtroi e para korrupsionin e lartë në Shqipëri nga viti 1997 e deri në vitin 2005?

Tani ka filluar një proces i ri: po goditen penalisht nga SPAK qeveritarë dhe drejtorët të Partisë Socialiste për këtë periudhë që ajo është në pushtet.
Të shohim si do të vijojë kjo çështje me rëndësi jetike për shqiptarët.
Po SPAK a mund ta vijojë reformën në drejtësi dhe reformën antikorruosion?

IV.
Shenjat e SPAK-ut janë shumë të dobta. Duket se politika amerikane ka dështuar në lidhje me SPAK-un, sepse në SPAK nuk duhej të ishte askush që kishte qenë gjyqtar ose prokuror në vitet ’90 dhe 2000 në Shqipëri. Me ligj duhej të ishin abroguar të gjitha emërimet që ishin bërë në SPAK për prokurorët ose gjyqtarët e kohës së korrupsionit masiv në Shqipëri.
Ky ishte një gabim fatal.
Por, a e ka forcën politika amerikane që ta ndreqë këtë gabim dhe ta vendosë në linjën e moralitetit ligjor SPAK- un?
E ka forcën, dhe, në kryerjen e kësaj reforme politike, amerikanët duhet ta kuptojë se po shpëtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një gjëmë e madhe e historisë së tyre.
Dhe shqiptarët po presin, dhe sytë i kanë drejtuar nga Uashingtoni.