Raporti për “Një strategji për të luftuar paqëndrueshmërinë në Ballkan” e përpiluar nga Universiteti studimor John Hopkins dhe Institucioni i kërkimeve Woodrow Wilson Center në SHBA, thekson se njohja e Kosovës si shtet i pavarur do të kontribuonte në stabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Sipas raportit, nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën do të ndikojë në njohjen dhe ndryshimin e qëndrimit të Serbisë.

Raporti vë në dukje se Perëndimi po punon me Greqinë që ajo të njohë Kosovën dhe kjo do t’i hapte rrugën Kosovës për të qenë më pas edhe anëtare e NATO-s.

“Në thelb të strategjisë është: shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë prej tre dekadash mund të përfundojë aty ku filloi, në Kosovë. Njohja e Republikës së Kosovës nga katër anëtarët e NATO-s si Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – do të transformonte Dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe Bosnje-Hercegovinën.

Të bindësh këto katër shtete – dhe një të pestë, Qipron, e cila është anëtare e BE-së, por jo e NATO-s – për të njohur Kosovën nuk është aq e lehtë. Kjo do të kërkojë një përpjekje të vendosur nga administrata Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur ata që nuk e njohin që të ndryshojnë qëndrimin e tyre”, thuhet në raport.

Raporti ngre alarmin për ndikimin rus dhe atë kinez në Ballkan.

“Rritja e ndikimit rus dhe kinez në rajonin e Ballkanit është alarmante”, shkruhet  në raport.

Gjithashtu, raporti paralajmëron sanksionimin e çdo lideri në Shqipëri apo Kosovë që bën thirrje për bashkim mes dy vendeve.

“Zbatimi i hapave të administratës Biden, duke përfshirë emërimin e të dërguarit Special për Njohjen e Kosovës, së bashku me paralajmërimin e shprehur të SHBA-së për të sanksionuar çdo lider në Shqipëri apo Kosovë që promovon apo bën thirrje për ‘bashkim’ mes të dyve vendeve të pavarura”, thuhet në raport.