balkanweb back buttonlogo balkanweb e madhe

Fillimi > -Politikë
Analiza e 14 majit për 5 bashki, çfarë tregojnë shifrat e dy zgjedhjeve të fundit në Fier, Mirditë e Bulqizë
03 Maj, 2023 14:05Zgjedhje Shqiperi 800×395 696×344 1Madhësia e tekstit:
Balkanweb app Get it on Google Play

Fieri, solid në duart e socialistëve

Bashkia e Fierit numëron 167 mijë votues, gjë që e bën atë bashkinë e gjashtë më të madhe në vend dhe një zonë që tradicionalisht ka zgjedhur socialistët për të votuar. Kryetari aktual i bashkisë, Armando Subashi, i cili ka qenë më herët gjyqtar në Fier dhe deputet i Fierit, garon për një mandat të tretë pasi ka fituar zgjedhjet e vitit 2015 me lehtësi dhe ato të vitit 2019 me një numër jo të vogël votash në raport me rezultatet e PS-së. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, socialistët fituan 51 me 42% në territorin e Bashkisë Fier, gjë që sugjeron se nuk do të kenë shumë telashe as në zgjedhjet e 14 majit.

Partia Demokratike garon me Eriselda Çelajn, një ekonomiste. Koalicioni Bashkë Fitojmë garon me Edvar Kodhelin.

Para Subashit, bashkia e qytetit Fier u qeveris nga viti 2003 e deri më 2015 nga Baftjar Zeqaj i Partisë Socialiste ndërsa komunat përbërëse të Fierit janë kontrolluar në shumicë nga PS. P.sh., në zgjedhjet e vitit 2011, PS fitoi tetë nga dhjetë njësitë përbërëse të bashkisë së re, me përjashtim të Cakranit dhe Levanit.

Bashkia e Fierit shtrihet në 620 kilometra katrorë dhe gjendet në një zonë fushore në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë. Qyteti i Fierit nisi si një qytet tregu para Luftës së Dytë Botërore dhe u zhvillua si qytet industrial gjatë kohës së komunizmit. Pjesa më e madhe e industrisë së ndërtuar në kohën e komunizmit ekziston sot vetëm si karakatinë, të tilla si Termocentrali Fier apo Uzina e Azotit. Një rafineri nafte vijon të ekzistojë ndërsa zona naftëmbajtëse e Patos-Marinzës shtrihet pjesërisht në territorin e bashkisë Fier.

Zonat rurale të Bashkisë Fier janë pjesë e fushës së Myzeqesë, resursi kryesor bujqësor i Shqipërisë, për bimët e arave, blegtori dhe agroindustri.

Bashkia Fier disponon një vijë bregdetare që vijon nga grykëderdhja e Semanit në veri për në grykëderdhjen e Vjosës në jug. Bregdeti është i pazhvilluar për turizëm.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Bulqizë, më pak vota dhe rezultat i ngushtë mes palëve

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë për qeverisjen e Bashkisë së Bulqizës, e cila u fitua nga koalicioni PS-LSI fillimisht nga Melaim Damzi në vitin 2015 dhe më pas nga Lefter Alla më 2019. Kësaj here socialistët garojnë një grua, Festime Mjeshtrin, jetëshkrimi i së cilës nuk është i gjendshëm online. Përballë saj, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Dëfrim Fiku, i cili ka qenë kryetar i komunës Zerqan para vitit 2015.

Bashkia e Bulqizës shtrihet në një zonë malore në Shqipërinë qendrore dhe është një zonë kryesisht minerare. Banorët kanë votuar kryesisht Partinë Demokratike në të shkuarën, por gara është bërë më e barabartë së fundmi. Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët arritën të fitojnë me një shumicë të lehtë përballë demokratëve dhe LSI-së, ndërsa dy punonjës të Bashkisë Bulqizë u arrestuan nën dyshimin për blerje votash.

Numri i votuesve në bashki është rritur nga 28 mijë në vitin 2011 në gati 30 mijë në zgjedhjet aktuale ndërsa numri i pjesëmarrjes në votime ka rënë nga 17 mijë në 15 mijë, duke reflektuar shkallën e emigrimit. Rënia e numrit të votuesve duket se ka prekur të dyja palët njësoj.

Bashkia Bulqizë ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Bulqizës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta) dhe 63 fshatra.

Bulqiza dhe Krasta janë dy qytete të ndërtuara gjatë kohës së Komunizmit në funksion të shfrytëzimit të kromit. Fshati Zerqan ka qenë para zhvillimit të qytetit të Bulqizës kryeqendra e nënprefekturës që mbante të njëjtin emër.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Roskovec, oficeri i policisë sfidon kryetaren jetëgjatë të bashkisë

Partia Socialiste synon të vijojë të drejtojë Bashkinë e Roskovecit me anë të kryetares aktuale Majlinda Bufi, e cila, para se të merrte drejtimin e bashkisë në vitin 2015, ka qenë deputete për PS-në dhe zyrtare e pushtetit vendor në këtë zonë. Bufi sfidohet nga Erdit Hazizaj, i cili ka punuar si oficer policie përgjatë njëzet viteve të fundit dhe që garon me një platformë antikorrupsion për koalicionin Bashkë Fitojmë.

Për 21 postet e Këshillit Bashkiak garojnë nëntë parti, ndërsa në këtë garë mungon Partia Demokratike zyrtare.

Bashkia e Roskovecit numëron 25 mijë votues, nga të cilët, gjysma duket se janë në emigrim. Pjesëmarrja në votime ka rënë nga 59% në vitin 2011 në 49% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Socialistët e kanë përmbysur rezultatin, nga 50 me 37% që ishte në vitin 2011 në favor të demokratëve, në 51 me 44% në favor të socialistëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Roskoveci është një qytezë e zhvilluar fillimisht si treg për fshatrat e zonës në vitet 1930 ndërsa u bë qendër bujqësore gjatë kohës së komunizmit pas tharjes së kënetës me të njëjtin emër. Ai u shpall qytet në vitin 1969. Bashkia e re përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Roskovec, Kuman, Kurjan dhe Strum. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Fierit dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 14 fshatra.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Mirdita, socialistët kërkojnë mandatin e tretë pas humbjes së rëndë më 2021

Bashkia e Mirditës numëron 27 mijë votues, të cilët pritet të vendosin për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak më 14 maj mes dy kandidatëve, kryetarit aktual Ndrec Dedaj, një ish-kryepolic bashkiak dhe kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Albert Mëlyshi, i cili nuk ka një jetëshkrim të publikuar online.

Rezultatet e së shkuarës në territorin aktual të bashkisë, e cila përfshin një territor të gjerë me katër qyteza dhe 81 fshatra, janë të përziera. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët e PD-së fituan me rezultat të thellë, ndërsa më 2011, rezultati favorizoi socialistët ndonëse me diferencë të ngushtë. Në vitin 2015, Ndrec Dedaj fitoi zgjedhjet me 55% të votave, ndërsa garonte në emër të koalicionit PS+LSI. Fati për socialistët duket se mbaroi këtu. Në zgjedhjet e vitit 2019, ata grumbulluan vetëm 5300 vota, më pak nga sa kishin marrë edhe në vitin 2011 ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, shënuan një rezultat tjetër negativ historik duke marrë vetëm 4,900 vota. Partitë e opozitës aktuale, PD dhe LSI të marra bashkë morën në këto zgjedhje 54% të votave përkundrejt 38% të PS-së.

Mirdita shtrihet në një zonë kodrinore dhe malore në Shqipërinë veriore. Kryeqendra, qyteti i Rrëshenit, është zhvilluar gjatë kohës së komunizmit si një qytezë minerare. Edhe tre qyteza të tjera, Rubiku, Repsi dhe Kurbneshi u ndërtuan në kuadër të industrisë minerare, kryesisht nxjerrjes së bakrit. Miniera e Spaçit vijon të punësojë një pjesë të banorëve të Rrëshenit pas riaktivizimit disa vite më parë.

Popullsia e Mirditës është vazhdimisht në rënie. Numri i pjesëmarrësve në votime ka rënë nga 15 mijë në 13 mijë. Rezultatet e zgjedhjeve të së shkuarës tregojnë rënie të madhe në numrin e votuesve të socialistëve dhe rritje të lehtë mes mbështetësve të opozitës.

Në garë për 21 vendet e këshillit bashkiak garojnë shtatëmbëdhjetë parti, të cilat kanë në listat e tyre të mbyllura, 376 kandidatë. Një në çdo 74 votues është edhe vetë kandidat, ndërsa ka 18 kandidatë për çdo post anëtari në këshill.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Patos, dy gra sfidojnë kandidatin socialist

Dy grupimet e opozitës kanë garuar si rrallëherë gra për garën për kryetar bashkie në bashkinë e vogël të Patosit në qarkun Fier përballë kandidatit socialist Fation Duro.

Pranvera Rizaj garon për Partinë Demokratike, ajo është mësuese nga profesioni. Ndërkohë, koalicioni Bashkë Fitojmë garon mjeken Sofije Alushaj, një nga vetëm tre gra të kandiduara nga Bashkë Fitojmë në të gjithë vendin për postin e kryetarit të Bashkisë.

Ndërkohë, Partia Socialiste garon me Fation Duron. Ky i fundit nuk ka një jetëshkrim të publikuar online.

Bashkia e Patosit shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë dhe përbëhet nga qyteti i Patosit dhe ish-komunat Rruzhdije dhe Zharrëz.

Në vitin 1925, në fshatin e vjetër Patos u zbulua një vendburim nafte, i cili filloi të shfrytëzohej gjatë luftës së Dytë Botërore. Në vitet ’60 u zbulua naftë në shtresat gëlqerore, gjë që solli zhvillimin e qytezës si strehë për naftëtarët. Gjatë kohës së komunizmit, qyteza u bë qendër për një uzinë mekanike me destinacion industrinë e naftës, një impiant rërash bituminoze dhe një kompani transporti.

Zona naftëmbajtëse e Patos-Marinzës vijon të jetë burimi kryesor i nxjerrjes së naftës sot, por shkalla e punësimit është shumë më e vogël se sa në kohën e komunizmit, duke sjellë largimin e një pjese të popullsisë në emigrim.

Patosi numëron gati 35 mijë votues në listat e zgjedhësve ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë, duke reflektuar shkallën e emigrimit.

Patosi dhe njësitë përbërëse kanë votuar në përgjithësi majtas me përjashtim të vitit 2007. Socialistët dhe aleatët e tyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim fituan zgjedhjet e vitit 2015 me kandidaten Rajmonda Balilaj, e cila u rizgjodh me votat e socialistëve më 2019. Ajo nuk është rikandiduar më 2023 nga PS. Para se të merrte bashkinë e re, Balilaj ishte zgjedhur kryebashkiake e qytetit të Patosit më 2011.

Në zgjedhjet e viteve 2007 dhe 2011, PS mori qytetin e Patosit me rezultat të thellë ndërsa komunat Ruzhdie e Zharrëz u morën nga koalicioni PD.

Zgjedhjet e vitit 2021 i dhanë fitore të thellë Partisë Socialiste 52% me 41% përkundrejt dy partive opozitare, PD dhe LSI. BIRN