ATË VEND njerëzit e dinë se çfarë do t’u thuash, që pa e hapur ti gojën mirë. Ti kërkon t’i argëtosh me një barcaletë të rastit, ata të përgjigjen: “ah, po kjo është e vjetër.” Dhe kur ty të mbetet pastaj qejfi të ngushëllojnë: “ashtu u mbetet të gjithëve, por pastaj përshtaten”. Në shfaqje teatrale nuk shkon askush – sepse e kanë parë madje shumë herë. Ti kërkon t’u shpjegosh: “Po prisni ore, se është premierë!” Dhe ata: “Sikur nuk e dimë ne se ç’është premiera!” Ti gjendesh i vetëm në sallën bosh, dhe rri kundron aktorët që i bëjnë qoka njëri-tjetrit në skenë dhe presin që të mbarojë pjesa. Në fund, para se të ulet sipari, të vjen një vajzë e sjellshme dhe të thotë: “Mos harroni të duartrokisni, zotëri.”