Sali Berisha ka kërkuar sërish dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, kësaj here për atë që ish kryeministri e cilëson si skandalin e udhëtimeve me chartera.

Sipas Berishës, Rama ka shpenzuar me udhëtimet me chartera më shumë se byroja komuniste gjatë viteve të saj në pushtet.

“Rama duhet të japë dorëheqjen, pasi është i vetmi kryeministër që ka realizuar me charter 137 udhëtime.

Nuk ka kryeministër kund që të ketë realizuar me charter as gjysmën e udhëtimeve të Edi Ramës. 22 milionë euro udhëtime janë një abuzim i çmendur, i shfrenuar. Janë më shumë seç ka realizuar byroja në 22 vite”, tha Berisha.

Më tej, kreu i demokratëve iu rikthye sërish çështjes së inceneratorëve. Për Berishën, shumë prej të akuzuarve për këtë aferë po bëjnë presion që të lirohen nga akuzat, ndërkohë që shtoi se çdo javë derdhen para në llogaritë personale të Ramës.

“Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin përfundimtar nga çdo funksion të Edi Ramës, i cili me aktet e tij antiligjore është sot simboli më i nxirë i pushtetarit abuziv që nuk njeh normë, standard, moral ligjor apo kushtetues kur vjen puna për pasurimin e tij dhe pushtetin e tij.

Edi Rama është sot kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë që krijon sipërmarrje personale me 420 milionë euro të grabitura nga taksapaguesit sipas kontratave që ka firmosur në kundërshtim me ligjet për djegësit. Sipërmarrja e Edi Ramës, e djegësve Tiranë, Fier, Elbasan është e vetmja në Evrope me imuniteti me të cilin shpallen në kërkim formalisht menaxherët dhe drejtorët, por faktikisht ndonëse të gjitha objekte krimi nuk konfiskohet asgjë dhe ata shëtisin të lirë dhe kanë nisur presionin për tu çliruar nga akuzat.

Çdo javë shkon në kontot bankare të Ramës dhe ministrave të tij. Drejtësia ndaj këtij akti kriminal po shpërbëhet. Ajo është faktuar si SKAP-i i partisë. Pasi doli me urdhër të qeverisë Alqi Bllako tani janë punonjësit e tjerë të kësaj sipërmarrje ata të cilët i kërkojnë Ramës çlirimin nga akuzat”, përfundoi Berisha.